Pjesëmarrja e grave në borde drejtuese nuk është thjesht dhe vetëm çështja e barazisë gjinore. Ajo konsiderohet një forcë shtytëse në suksesin e bizneseve.
Albana Vrioni, themeluesja dhe drejtuesja e Women on Boards Albania, tregon se si kompanitë në Shqipëri duhet të ndryshojnë kulturën e menaxhimit, proces që duhet të vijë nga rritja e përfaqësimit të grave në borde drejtuese.
“Unë jam vetë krijuese e një biznesi dhe kam ndjesinë dhe dëshirën për të kontrolluar biznesin tim. Por me rritjen e biznesit kam nevojë të kuptoj që unë nuk mund të bëj gjithçka dhe që mund të krijoj strukturat ë nevojshme që vendimmarrja dhe perspektiva strategjike të jetë diverse dhe jo diverse në slogan, por diverse në kapacitet, sepse vetëm ashtu një bord ose një këshill vendimmarrës mund të marri vendimet më të shëndetshme për biznesin”, tregon ajo për A2 CNN.
Në vitin e katërt të eventit për trajnimin e grave në drejtim u vë theksi tek sensibilizimi se si gratë të njohin dhe të zbatojnë të drejtat e tyre.
“Ne jemi goxha të mirë në ligje. Në fakt jemi goxha të mirë dhe në zbatim. Praktikat e fundit gjyqësore kanë ecur në këtë drejtim. Ajo që ne mungojmë është sensibilizimi, rëndësia e përfshirjes së të rinjve, grave, vajzave, djemve, të gjithëve në ato që ligji parashikon, në ato të drejta që ju njeh dhe në mënyrë se si duhet dhe mund t'i shfrytëzojnë”, thotë Entela Memishaj, avokate.
Ledi Hysenj, drejtoresha e lejeve dhe standardeve në kompaninë Gener 2, tregon për rolin e rëndësishëm të vajzave dhe grave në kompaninë ku ajo punon.
“Jemi një numër shumë i madh femrash. Mund të themi që mund të jemi dhe numër të barabartë me drejtuesit meshkuj”, tregon ajo. “Mendoj që femra është një katalizator shumë i mirë në marrjen e vendimeve”.
Barazia gjinore është parakusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ky proces konsiderohet po aq i rëndësishëm edhe për sektorin privat. (A2 Televizion)