Edhe fëmijët po preken nga hipertensioni. Kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik kanë dyfishuar numrin e fëmijëve të diagnostikuar me presion të lartë të gjakut, thënë ndryshe, shfaqjen e sëmundjeve të zemrës që në moshë të hershme.
Alarmi vjen nga mjekët kardiologë, të cilët thonë se me këto ritme do të kemi rritje të fataliteteve nga sëmundjet e zemrës në moshat 30 deri në 35 vjeç.
“Po vëmë re që kemi një trend në rritje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, me rreth dyfishim të numrit të fëmijëve që vuajnë nga tensioni arterial. I shoqëruar me obezitetin, që ne e dimë tashmë se ka një trend po ashtu në rritje, të dy bashkë përbëjnë një faktor rreziku. Të dyja bashkë janë faktorë rreziku, të cilët e rrisin dyfish rrezikun për humbje jete te individët deri në moshën 35 vjeç”, thotë për A2 CNN Ëngjëllushe Hasani, mjeke kardiologe.
Referuar studimeve më të fundit në Europë, kardiologia Ngjellusha Hasani flet për të dhëna tronditëse. Fëmijët po plaken para kohe për shkak të obezitetit dhe jetës pasive. Enët e gjakut të një 17-vjeçari kanë moshën biologjike 30 apo 35 vjeç.
“Nuk do të thotë që ne jemi 17 vjeç dhe mosha jonë biologjike është 17 vjeç. Pra, mund të kemi një moshë shumë më të madhe, mund ta kemi 30 dhe kjo plakje e parakohshme e enëve, dëmtimi i enëve të gjakut, na sjell sëmundje në një kohë të gjatë. Këta individë kanë rrezik të lartë për të pasur sëmundje kardiovaskulare”, thotë Hasani.
Por çfarë duhet të bëjnë prindërit para se të jetë vonë? “Të kemi një ushqim sa më të shëndetshëm, pasi dimë që fëmijët janë të prirur drejt ushqimeve jo të shëndetshme, por këtu është përgjegjësia dhe kujdesi i prindërve. Gjithashtu, duhet të shtohet aktiviteti fizik”, thotë Hasani.
80% e fëmijëve në vendin tonë nuk merren me aktivitet fizik dhe një në pesë janë obezë. Mjekët rekomandojnë ndryshimin e stilit të jetës dhe kujdes më të shtuar ndaj atyre fëmijëve që në familje kanë prindër apo gjyshër me probleme kardiake. (A2 Televizion)