Gripi, jo më në kulmin e tij. Është ende në qarkullim dhe me forma të rënda, por ulen infektimet

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2026, 16:29 | Sociale

Java e dytë e shkurtit shënon uljet e infektimeve nga gripi. Ekspertët e shëndetit publik deklarojnë se tashmë kemi dalë nga piku i qarkullimit të varianteve AH1N1 dhe AH3N2. Aktualisht raportohen mbi 15 000 të prekur në javë. Një shifër më e ulët krahasuar me fundin e muajit janar, i cili shënoi kulmin e përhapjes së gripit dhe virozave të tjera, shkruan A2 CNN.

“Nga 18 500 që ishin në kulmin e qarkullimit ka shkuar në 15.900 raste. Pra vërehet një rënie e theksuar, por e theksojmë që nuk ka vend për relaksim, se përderisa gripi qarkullon, personat që bëjnë pjesë në grupet me risk të popullatës janë ende të rrezikuar dhe duhet të respektojnë dhe këto tre masat e famshme, tashmë që njihen nga të gjithë, që është distancimi fizik, mbajtja e maskës në ambiente ku nuk evitohen dot grumbullimet dhe një higjienë e shpeshtë e duarve”, thotë për A2 CNN Artan Simaku, specialist në Institutin e Shëndetit Publik.

Megjithatë, specialistët e ISHP-së theksojnë se gripi dhe variantet agresive të tij vijojnë të jenë në qarkullim. Fëmijët dhe personat mbi 55 vjeç rezultojnë grupmoshat më të prekura edhe në këtë periudhë. Nuk kanë munguar komplikacionet dhe urgjencat drejt shërbimit infektiv dhe pediatrisë në QSUT.

“Mbizotërojmë dy kulme, një në kulm në moshën pediatrike 0-14 vjeç dhe një kulm tjetër në te moshat mbi 55 vjeç. Për sa i përket numrit të shtrimeve spitalore në të gjithë vendin ka filluar një trend gjithashtu në rënie, por mund të themi që është një situatë e qëndrueshme për sa i përket formave të rënda që shtrohen në spital”, thotë Simaku.

Krahas gripit sezonal dhe varianteve agresive të tij, në qarkullim vijon të jetë COVID dhe viroza të tjera. Te fëmijët deri dy vjeç nuk mungojnë rastet dhe komplikacionet nga virusi respirator sinsincial si dhe të prekur nga fruthi për shkak të refuzimit apo shtyrjes së vaksinimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos