"Ma morën motrën", ulërima e Genard Hajdinit për Sonidën që u shtrua në psikiatri

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2026, 10:03 | Sociale

Në një lagje të zakonshme të Tiranës, ku zakonisht pasditet kalohen mes bisedash mes banorëve apo edhe kafe, jetonin Genard dhe Sonida Hajdini. Për banorët njihen si dy fqinj që qëndronin në punën e tyre dhe jetonin qetë. Për rrjetet sociale njihen si personazhet e famshëm apo fenomeni i “gjëra të mira, gjëra të bukura”, “danoçat” e shumë e shumë batua të tjera spontane.

Por, pas tyre fshihet një histori më e thellë, një histori që aktualisht ka përfunduar në spitalin psikiatrik.

“Ishin njerëz të qetë, jetonin mirë për sa kohë kishin babain. Ai kujdesej për ta, ua merrte ilaçet me orar. Ka pasur disa raste që Genardi dilte nëpër shkallë me veshje të papërshtatshme, por Sonida ka qenë shumë e qetë, në terezinë e vet. Madje, deri vonë ajo ka dhënë mësim online për botën. Ka qenë shumë e zonja”, thotë një banor.

“Ditën që erdhën për të marrë Sonidën, ai ishte te marketi i lagjes poshtë duke blerë. Merrte shpesh kafe të ftohtë në kanaçe. Kur mori vesh çfarë po ndodhte, vetëm bërtiti: “Ma morën motrën!” Shkoi vrap dhe po shihte brenda ambulancës. Nuk kishte zbritur ende Sonida. U ngjit lart dhe më pas i zbritën të dy. Sonidën e mori ambulanca, Genardin policia”, tregon një tjetër.

“Njerëzit janë interesuar gjithmonë për ta. Kur kishin probleme, shumë veta vinin të pyesnin. Kanë sjellë dhe ushqime. Të dy kanë qenë njerëz të mirë. Kishin ato hallet e vuajtjet e veta. Po si bënin gjë njeriu. Më erdhi shumë keq që i çuan në psikiatri”, thekson një banore tjetër.

Historia e tyre nis në fund të viteve ’90, në një Shqipëri të trazuar. Nëna e tyre humbi jetën tragjikisht nga një plumb qorr, teksa ndodhej në ballkonin e shtëpisë. Ishin fëmijë, një humbje që sipas njerëzve që i kanë njohur la një gjurmë të pashlyeshme në jetën e tyre. Megjithatë, Genardi dhe Sonida nuk u dorëzuan. Shkëlqyen në shkollë, u larguan drejt Shteteve të Bashkuara, ku u vlerësuan për arritjet akademike, studime në biokimi, filozofi, gjuhë të huaja, mastera të shumtë.

Më vonë u kthyen në Shqipëri, jetonin bashkë. Një jetë e thjeshtë mes pazarit, gatimit, librave dhe videove në Instagram. Motoja e tyre, “gjëra të mira, gjëra të bukura”, u bë virale. Njerëzit i donin për sinqeritetin dhe spontanitetin, por suksesi online nuk zhduk plagët e thella. Pak muaj më parë ta humbën edhe babain, njeriun që, sipas fqinjëve, ishte mbështetja e tyre kryesore. Një tjetër goditje e rëndë.

Pak ditë më pare, Genardi publikoi në rrjetet sociale pamje të motrës së tij në një gjendje të rënduar. Videoja u përhap shpejt. Pas publikimit ndërhynë shërbimet sociale, stafi mjekësor dhe policia. Sipas verifikimeve zyrtare, nuk u konstatuan elemente dhune, ndërsa u sqarua se videoja ishte postuar për të tërhequr vëmendjen në rrjete sociale. Pamjet u fshinë menjëherë.

Aktualisht, Genardi dhe Sonida janë shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës, ku po marrin trajtim të specializuar. Rasti është referuar në prokurori, ndërsa institucionet sociale kanë nisur hartimin e një plani monitorimi dhe mbështetje nga një fenomen që na bën të buzëqeshim në ekranin e telefonit tek një realitet i brishtë që kërkon ndihmë profesionale.

Historia e tyre është një kujtesë se trauma e pashëruar nuk zhduket me kohën, se rrjetet sociale nuk janë gjithmonë pasqyra e plotë e jetës së dikujt, se pas çdo “story” mund të fshihet një histori që ka nevojë për mbështetje më shumë sesa për kikime.

Në këtë lagje sot mbi zotëron heshtja, por mesazhi mbetet i qartë: Empatia dhe ndërhyrja në kohë mund të jenë shpëtim dhe e mira duhet kërkuar dhe mbrojtur, sidomos kur dikush nuk arrin ta bëjë vetë atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos