Qendra shëndetësore numër dy në qytetin e Fierit ndodhet në një gjendje alarmante për shkak të kushteve minimale të higjienës dhe sigurisë. Kjo godinë, e cila ofron shërbim për rreth 15 mijë banorë, ndodhet në katin e tretë të një objekti të amortizuar, mes lagështirës dhe mykut, si dhe pa ashensor, duke e bërë thuajse të paarritshme për të moshuarit dhe për pacientët me probleme të rënda shëndetësore, shkruan A2 CNN.
Përballë kësaj situate, qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e saj, duke theksuar se braktisja shumëvjeçare nga institucionet përgjegjëse është e pajustifikueshme.
“Të ngjitet i sëmuri, plaku… Unë jam 83 vjeç. Të ngjitesh në gjithë ato shkallë është çmenduri. Unë vetë kam punuar në shëndetësi, 40 e ca vjet para se të ikja. Por jo kështu, në këto kushte që janë sot”, thotë një i moshuar. “Nuk ka një ambient ku njeriu të shfryhet nga stresi kur shikon kështu. Nuk ka shpresë për të zgjidhur. Ka lezet të shkosh te Memoriali, të kënaqet shpirti. Shko te Ambulanca, nuk ka njerëz, se tutje këtu nuk vete dot një grua që të bëjë analiza, se duhen dy roje që ta shoqërojnë mbrapa”, thotë një tjetër. “Ka probleme sa të duash. Doktoreshat janë të mira, po vendi… ndonjëherë e shtyjnë datën, apo vetëm nga shkallët që s’ngjiten dot. Ka vështirësi, janë mure, janë prishur. Çfarë t’i rregullosh?”, thotë një e moshuar.

Po aq e rëndë paraqitet situata edhe për personelin mjekësor, i cili u shërben pacientëve në kushte të papërshtatshme, mes lagështirës, mykut dhe ambienteve të pamjaftueshme. Drejtoresha, Shqiponja Hoxha, pohon se problematika kryesore lidhet me dëmtimin e plotë të hidroizolimit të tarracës së objektit, gjë që ka shkaktuar probleme të vazhdueshme në ambientet e brendshme.
“Ka rreth katër vjet. Ndërhyrje është bërë në dhjetor 2024 me izolim tarrace dhe lyerje. Në dhjetor 2025 u bë një ndërhyrje parciale, e pjesshme, por prapë situata vazhdon. Janë bërë nga Bashkia e Fierit, por situata vazhdon të jetë prapë në këto kushte”, tregon ajo. “Apeli është për ndërhyrje sa më të shpejtë ose transferim në ambiente të tjera të qendrës shëndetësore, për një ndihmë dhe një shërbim më cilësor për banorët që mbulon kjo qendër”.
Ministria e Shëndetësisë e ka përfshirë Qendrën Shëndetësore nr. 2 në projektin “Rikonstruksioni i ambulancave dhe qendrave shëndetësore” për vitin 2025–2026, por gjatë vitit 2025 projekti mbeti vetëm në letër, ndërsa gjendja e godinës vijon të përkeqësohet nga viti në vit. (A2 Televizion)