Orëndreqësi Ajdin Gjini, jeta e lidhur me sahatin e kalasë së Gjirokastrës

Nga Rigels Malile dhe Armend Pire
11 Shkurt 2026, 14:44 | Sociale

Sahati i kalasë së Gjirokastrës, që prej vitit 1968 kur ka nisur të funksionojë, është një prej simboleve kryesore të vetë qytetit. Tashmë, imazhin e orës së gurtë e gjen në guidat turistike, në suvenire apo në punimet tradicionale të artizanëve vendas. Orëndreqësi Ajdin Gjini, i cili është kujdesur përgjatë gjithë jetës për sahatin e gurtë, shprehet se ai i është përshtatur disa herë kërkesave të kohës.

“E morëm, e montuam dhe e vumë në punë. Gjatë asaj kohe, kambana që kishim marrë në Shkodër ishte shumë e vogël dhe na u desh të merrnim kambanën e Mitropolisë”, tregon ai për A2 CNN. “Pasi u prish kisha në Mitropoli, morëm atë kambanë të madhe. Ajo ishte e derdhur në fonderinë e Janinës në vitin 1940. E vumë, e përgatitëm orën dhe ajo filloi aktivitetin. Doli që ora ishte angleze, kopje e Big Ben-it. Ishte një orë me kurdisje, me kundërpesha dhe ishte shumë e saktë në kohë”.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike, sahati i gurtë i kalasë së Gjirokastrës është një prej orëve më të veçanta në Ballkan. “Më vonë doli që u bë kulla prapë, u prish, sepse e bënë me gurë të zinj dhe e bënë shumë moderne. Atëherë na u desh ne të zmadhonim përsëri fushën dhe arritëm në nivelin e fushës me 2 metra e gjysmë diametër, që nuk ka as në Ballkan një orë me diametër kaq të madh. Unë kam parë edhe orën e Janinës pak më vonë; ajo e kishte 1 metër e gjysmë diametrin”.

Rijetësimi i sahatit të gurtë dhe tingulli i kambanës së tij përcillen plot emocion nga mjeshtri i vjetër, si rikthim i një tradite të veçantë për Gjirokastrën. “Sigurisht na kujton kohën e kaluar, kur ajo ishte funksionale, sepse punonte edhe kambana dhe është shumë e dëgjueshme, dëgjohet në distancë të largët. Sigurisht ka edhe një lloj nostalgjie, dhe jo vetëm unë që kam punuar tek ajo, por gjithë populli i Gjirokastrës e ndjen dhe flet mirë për të. Kjo është e gjithë historia e orës së kalasë së Gjirokastrës. Edhe si përfundim, ajo do të vazhdojë të funksionojë, të punojë, me ndihmën e Zotit, sepse ndonjëherë ka edhe probleme”.

Sahati i kalasë së Gjirokastrës është një prej pikave më tërheqëse dhe të vizitueshme për turistët vendas dhe të huaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos