Orikumi, edhe pse një qytet turistik, gjatë dimrit ka pak njerëz, kryesisht të moshës së tretë. Të rinjtë janë larguar në emigrim teksa dhe ata të cilët kanë qëndruar, i gëzohen sezonit turistik që sjell pak të ardhura.
Edhe në vendet turistike të cilat janë aq shumë të lakmuara nga pushues vendas dhe të huaj përgjatë sezonit veror po ndihen tashmë pasojat e emigrimit të popullsisë. Orikumi është një ndër tyre, ku në qytezën e vogël buzë detit Jon, jetojnë sot një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në moshë pensioni.
Qytetarët tregojnë se në qendrën e njësisë administrative të rinjtë janë të pakët, teksa i merr malli për fëmijët e larguar në emigrim. Përgjatë bisedave çdo ditë me fëmijët, banorët tregojnë se fëmijët e emigruar nuk mendojnë të kthehen në atdhe pasi këtu mungojnë vendet e punës dhe ekonomia bazë për krijimin e të ardhmes.
Për ata të cilët janë në një moshë më të re, dhe ende punojnë, problemi nuk qëndron vetëm tek mungesa e vendeve të punës dhe ekonomisë, por edhe tek kushtet bazike për jetën.
Orikumi prej vitesh sipas tyre ka një sërë problematikash duke nisur nga mungesa e ujit të pijshëm, ndërprerjet e herë pas hershme të energjisë elektrike si dhe infrastruktura rrugore e dobët.
Orikumi si një vend turistik por edhe fshati i Radhimës jetojnë çdo vit mes dy realiteteve. Atë të një vendi të populluar plotë gjallëri gjatë sezonit veror dhe nga ana tjetër në vjeshtë dhe dimër një vend ku mbizotëron vetëm mosha e tretë (A2 Televizion)