Ambasada e Gjermanisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur lumturinë e saj për hapjen e shkollës “Angela Merkel” në Kamëz, që është ndërtuar me mbështetjen gjermane.
“Ambasada u uron të gjithë fëmijëve dhe prindërve shumë sukses në fillim e vitit të ri shkollor – dhe është veçanërisht e lumtur që shkolla “Angela Merkel” në Kamëz, e ndërtuar me mbështetjen gjermane, hap sot dyert e saj. Me kapacitet për 1 300 nxënës, ajo është një nga shkollat më të mëdha në vend. Klasa plot dritë, ambiente moderne mësimore, një bibliotekë, një palestër qendrore si dhe hapësira të gjelbra dhe një koncept arkitektonik i hapur e bëjnë atë një vend mësimi që nxit shkëmbimin dhe frymëzimin. Shkolla është pjesë e programit gjerman të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019. Në kuadër të “Ndihmës për rindërtimin pas tërmetit”, qeveria federale gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË), vuri në dispozicion 14,5 milionë euro grante – me të cilat u ndërtuan tre shkolla të reja në mbarë vendin”, lexohet në postimin e Ambasadës Gjermane, shkruan A2.
“Shkolla “Angela Merkel” është një projekt shembullor për ndërtimin e qëndrueshëm: panelet diellore dhe planifikimi inovativ ulin me më shumë gjysmën e konsumit të energjisë, duke dhënë kështu një kontribut aktiv për mbrojtjen e klimës. Gjatë vizitës së tij me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, Thilo Schroeter, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, theksoi se kjo shkollë është “një simbol i qëndrueshmërisë dhe rinovimit” – një shenjë se si nga një krizë e rëndë mund të lindi shpresë dhe mundësi të reja. Ai gjithashtu theksoi se është krenar “që Gjermania, me ndihmën e bashkëpunimit të saj për zhvillim dhe të Bankës Gjermane për Zhvillim, ka qenë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë të rindërtimit.” Veçanërisht ai iu drejtua fëmijëve: Kjo shkollë ju përket juve, “një investim në të ardhmen tuaj – në arsimimin tuaj, ëndrrat tuaja dhe aftësinë tuaj për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë në zemër të Evropës.” Në përfundim ai ritheksoi angazhimin e Gjermanisë, “për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit, të reformave të sundimit të ligjit dhe të integrimit evropian”, shton postimi. (A2 Televizion)