“Nuk zbatohet karenca”, agronomi: U thashë vileni rrushin pas 4 javësh, e volën pas 6 ditësh

Nga Armend Pire
8 Shtator 2025, 16:25 | Sociale

“Dëmi katastrofik i Shqipërisë në të ardhurat ekonomike dhe imazh për eksportet po i shkaktohet nga ana njerëzore”. Me këtë revoltë e nis pedagogu Lush Susaj përgjigjen teksa e pyesim për frutat dhe perimet shqiptare të bllokuara në vendet e Europës, për shkak të ngarkesës së lartë me pesticide. Për të disatën herë, mijëra ton prodhime shqiptare kalojnë kufirin për eksporte, por nuk mbërrijnë në tryezën e konsumatorëve europianë, pasi analizat e kryera nxjerrin përmbajtje të lartë të disa pesticideve të përdorura, shkruan A2 CNN.

Sipas pedagogut të agronomisë, shkaku kryesor është moszbatimi i karencës, afatit të ndalimit të vjeljes së prodhimit pas spërkatjes. “Të zbatohet koha e karencës. Ka preparate që kanë 60 ditë, por ka dhe që kanë 14 ditë. Kjo do të thotë që ti për 14 ditë nuk duhet ta vjelësh produktin”, thotë ai për A2 CNN.

Pedagogu tregon sesi ka qenë vetë dëshmitar i moszbatimit të karencës nga ana e fermerëve, ndonëse i kishte këshilluar ndryshe. “Shkova në një vresht ku kisha bërë trajtimin dhe ju luta, donte 28 ditë preparati të vepronte. U thashë mos e konsumoni rrushin. U thashë mos e çoni në market apo në bankete dasmash. Kur shkova pas 6 ditësh, i gjeta duke vjelë e duke sistemuar. “Çfarë bëni?” – u thashë. “Mosni!” Thanë, “o profesor, ne po hamë përditë e s’po na gjen gjë.” Ajo depozitohet në mëlçi dhe ta jep pas 10 vitesh, pas 5 vitesh, pas 3 vitesh”, thotë Susaj.

Rolin kryesor të kontrollit të fermerëve dhe sigurisë ushqimore e kanë autoritetet, të cilat sipas pedagogut duhet të investojnë në punësimin e agronomëve. “Çdo fshat i Shqipërisë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, duhet të jetë i mbikëqyrur nga agronomi. Gjeji ti agronomët! I ke lënë pa punë, i ke lënë rrugëve. Agronomi po ikën në Angli, po ikën në Belgjikë, po ikën në sera lulesh. Bahhh… Ky është problemi”.

Siguria ushqimore është një dry në portën që pritet të hapet nga Bashkimi Europian. Pa siguruar shëndetin e qytetarëve dhe prodhimin cilësor në ferma, toleranca është zero nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos