Zëvendës-ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka garantuar mësuesit se nuk do të ketë shkarkime, pavarësisht se këtë vit do të ketë një numër më të vogël nxënësish në shkolla.
Komentet Osmani i bëri gjatë një interviste në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se do të ketë shtim të disa programeve në shkolla, që do të bëjnë të mundur që mësuesit të vijojnë punën e tyre.
Ajo tha gjithashtu se këtë vit do të ketë organizime masive të shkollave, në kuadër të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies.
“Nuk mund të flasim për mbyllje të shkollave sesa të flasim për riorganizime. Riorganizime që bëhen në kuadër të përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie. Dhe më duhet t’ju them se në këtë vit shkollor nuk kemi problematika me rënien e numrit të mësuesve, apo mësues që ngelen pa ngarkesa mësimore.
Pra nesër, më duhet të them se 31 mijë mësuesit që shërbejnë në arsimin tonë parauniversitar, patjetër që kanë marrë një detyrë të lartë për të shërbyer dhe për të dhënë më të mirën e tyre. Nuk do të ketë shkurtime të numrit të mësuesve, pavarësisht se do ketë më pak nxënës për t’ju shërbyer e mësuar. Ka një sërë programesh dhe politikash të Ministrisë së Arsimit, që po zbaton në shkollë për t’i siguruar këtyre mësuesve ngarkesën e duhur mësimore që ata të shërbejnë.
Siç mund të jetë përshembull ‘bëjmë detyrat e shtëpisë’, ku do të kemi një shtim të numrit të shkollave që do ta praktikojnë këtë gjë. Ose siç kemi programin ‘art dhe zeje’ që përsëri do të kemi një shtim të numrit të shkollave, që bën të mundur që këta mësues që për shkak të rënies së numrit të nxënësve mund të kishin probleme në ngarkesën mësimore, padyshim që këtë nuk e kanë”, tha mes të tjerash zv.ministrja e Arsimit, Orjana Osmani. (A2 Televizion)