Helmimi i 56 kursantëve të Akademisë së Policisë ka ngritur alarmin për sigurinë ushqimore në vend. Të rinjtë përfunduan në spital me simptoma të rënda pas konsumimit të drekës së shërbyer, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar shkakun e kontaminimit. Deri tani janë ndaluar kuzhinieri dhe një teknologe ushqimore, ndërsa administratorja e kompanisë së kateringut është shpallur në kërkim.
Pedagogia Ana Vuksani e cilësoi ngjarjen “tepër alarmante”, sidomos për faktin se bëhet fjalë për një kategori që ushqehet nga vetë shteti. Sipas saj, shkollat, çerdhet, spitalet dhe akademitë konsiderohen “target grupe të veçanta” dhe duhet të jenë nën kontroll më të rreptë.
“Fakti që ushqimi i ofruar nga shteti rezulton potencialisht i rrezikshëm është shumë më i rëndë sesa një rast i zakonshëm helmimi”, deklaroi Vuksani në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN. Ajo kritikoi reagimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke theksuar se institucioni ka pranuar mungesën e “gjurmueshmërisë së plotë funksionale”, çka sipas saj tregon probleme serioze në sistem. “Sistemi duhet të jetë në gjendje të identifikojë çdo hallkë, nga lënda e parë deri te konsumatori final, për të zbuluar burimin e kontaminimit”, tha ajo.
Vuksani ngriti pikëpyetje edhe mbi faktin që aktiviteti i kompanisë së kateringut nuk është pezulluar menjëherë. “Ajo që është më shqetësuese është se unë nuk kam një informacion nga institucioni përgjegjës nëse kjo kompani kateringu shpërndante ushqim edhe për kategori të tjera të veçanta. Pra, a furnizonte shkolla të tjera, a furnizonte spitale, apo institucione të tjera? Kjo është e para. E dyta, pse nuk është mbyllur aktiviteti derisa të gjendet shkaku? Ky aktivitet duhej të ishte pezulluar në mënyrë që të minimizohej rreziku. Pra, aktiviteti vazhdon dhe kjo mund të bëjë që konsumatorë të tjerë, grupe të tjera të synuara, të jenë të ekspozuara ndaj rrezikut të një helmimi apo prekjes nga një patogjen i ndryshëm”, tha ajo.
Sipas saj, hetimi duhet të përfshijë jo vetëm kuzhinën, por edhe produktet e përdorura, kushtet e transportit dhe automjetet që shpërndajnë ushqimin. “Transporti në temperatura të papërshtatshme mund të jetë shkak kontaminimi”, paralajmëroi pedagogia.
Sipas saj, Shqipëria vazhdon të ketë mangësi serioze laboratorike dhe probleme me standardet e sigurisë ushqimore. (A2 Televizion)