Tirana nuk dallohet vetëm për trafikun e rënduar. Në këtë periudhë është shtuar ndotja e ajrit dhe polenet agresive. E gjithë kjo situatë ka rritur numrin e personave alergjikë, por edhe të pacientëve të prekur nga astma. 5% e popullsisë shqiptare ose 1 në 20 persona rezulton i prekur nga astma bronkiale. Në ditën botërore të kësaj sëmundjeje mjekët konstatojnë rritje të rasteve në zonat urbane dhe veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë.
“A ka faktorë rreziku? Patjetër. Dhe këta faktorë janë si në çdo sëmundje një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe atyre ambientalë. Pra historia familjare, individët që kanë astmë në familje, astma bronkiale apo alergji kanë një rrezik më të shtuar”, thotë për A2 CNN Juliana Gjoni, mjeke pneumologe.
“Atopia, individët të cilët për shembull kanë ekzemë, paraqesin ekzemë, do kenë një rrezik më të lartë për astmë bronkiale. Fëmijët që kanë përjetuar infeksione të shpeshta respiratore gjatë fëmijërisë, të gjithë këta kanë një rrezik më të lartë për të bërë astmë bronkiale. Faktorë të tjerë: ekspozimi ndaj tymrave, ndaj ambientit të ndotur. Ka një rritje të incidencës sidomos në vendet urbane. Është dhe ndotja e ambientit që zë një impakt të rëndësishëm”.
Por cilat janë shenjat që na paralajmërojnë sëmundjen e astmës? “Atëherë, kolla te astma është një kollë që ne e fusim te kolla kronike, nuk është kolla akute dhe shpeshherë është shenja e parë e astmës”, thotë Gjoni.
“Ti mund ta çosh te mjeku fëmijën apo pacienti mund të shkojë te mjeku, mund të realizojë spirometrinë dhe madje në stadet e para spirometria mund të rezultojë normale dhe pikërisht ndaj këtyre rasteve ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ajo është kollë që ndonjëherë pacientin e zgjon edhe natën. Është kollë si lehëse, si mbytëse, por gjithsesi ndaj një kolle kronike ne duhet të jemi të vëmendshëm në fazat e para”.
Mbi 1000 raste të reja raportohen çdo ditë në mbarë botën me astmë bronkiale. Ndërsa nga komplikacionet e kësaj sëmundjeje kronike humbin jetën 450 mijë pacientë në vit. (A2 Televizion)