Studentët e Akademisë së Policisë, të dyshuar për helmim nga ushqimi, janë dërguar me urgjencë mbrëmjen e së mërkurës në QSUT. Mësohet se të rinjtë kanë pasur shqetësime gastro-intestinale, dhimbje të forta barku, të vjella dhe këputje, disa orë pas konsumimit të drekës.
Spitali Infektiv kaloi në gjendje gatishmërie, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të fluksit të lartë të pacientëve me shenja helmimi.
Studentët kanë marrë mjekimin e nevojshëm, si dhe i janë nënshtruar një sërë analizash laboratorike për identifikimin e shkaktarit të helmimit. Disa orë pas trajtimit mjekësor, mëngjesin e së enjtes, të gjithë kanë dalë nga spitali, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik dhe ai për Sigurinë Ushqimore po analizojnë mostrat e marra për të gjetur shkakun e intoksikimit të studentëve të Akademisë së Policisë.
Ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përmes një njoftimi zyrtar, informoi se pas verifikimeve të kryera rezultoi se ushqimi gatuhej në ambientet e garnizonit “Skënderbej”, pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, dhe dërgohej i gatshëm përmes kompanisë katering SORI-AL në Akademinë e Policisë.
Gjatë kontrollit të kryer, AKU deklaron se nuk konstatoi shkelje të kushteve higjeno-sanitare. Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit, u vendos gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Po ashtu, AKU deklaron se janë marrë mostra nga produktet e gjetura gjatë kontrollit, si djathë, vezë dhe kos, për të vlerësuar ngarkesën mikrobiologjike.
Tashmë priten përgjigjet zyrtare të analizave për të identifikuar se cili prej ushqimeve shkaktoi helmimin masiv të studentëve. (A2 Televizion)