Në fshatin Seniçan, të Këlcyrës, vetëm tre nxënës ndjekin mësimin, ndërsa rruga e dëmtuar prej vitesh e vështirëson çdo ditë udhëtimin e tyre dhe të mësuesve.
Për banorët, shumica të moshuar, rregullimi i rrugës shihet si një nevojë që shkon përtej infrastrukturës, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e fshatit.
Gumëzhimat e fëmijëve dhe zilja e mëngjesit, që dikur mblidhte nxënësit e fshatit Seniçan, nuk dëgjohen më.
Krahina e Dëshnicës, në Këlcyrë, prej kohësh vuan mungesën e haresë së fëmijëve, ashtu siç vuan edhe mungesën e infrastrukturës.
Alesio dhe Eljani, dy vëllezër në klasën e parë dhe të katërt, si dhe një tjetër nxënës në klasën e nëntë, janë të vetmit që ndjekin mësimin në këtë shkollë. Por edhe për ta, ashtu si për dy mësuesit e tyre, rruga drejt dijes nuk është e lehtë.
Për të mbërritur në shkollë, fëmijët ecin çdo ditë për rreth 20 minuta, në një rrugë prej 6 kilometrash, e cila është dëmtuar prej vitesh. Kur bie shi, rruga bëhet edhe më e vështirë.
Mësuesi Xhuliano, i cili prej 5 vitesh ushtron profesionin në këtë shkollë, thotë se vështirësitë janë aq të mëdha sa vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e vitit të ardhshëm shkollor.
E njëjta rrugë është kthyer në shqetësim për të gjithë banorët, shumica e të cilëve janë të moshuar.
Shtëpi të braktisura, pak banorë dhe një shkollë me vetëm tre nxënës. Për këtë fshat, rregullimi i rrugës nuk është thjesht një investim në infrastrukturë, por një mundësi që ai të vazhdojë të ekzistojë. (A2 Televizion)