Nis viti i ri shkollor, mbi 300 mijë nxënës rikthehen në klasa, 25 mijë ulen për herë të parë

Nga Ornela Joti
14 Shtator 2026, 14:52 | Sociale

Shkolla filloi… 320 mijë nxënës në mbarë vendin janë kthyer në bankat e shkollës, një vit më të rritur. Ndryshe nga vitet e tjera, dita e parë e shkollës zyrtarisht nuk ishte ditë mësimi.

Nxënësit janë takuar me njëri-tjetrin, me mësuesit, kanë folur për pushimet, për çantën, librat e shkollës dhe orarin e ri të mësimeve.

Për më të rriturit dhe më të vegjlit e shkollës, ishte një ditë e ngarkuar. Sot pesha nuk ndihej te çanta e re dhe librat e klasës së parë, as te trafiku dhe regjimi i ri i qarkullimit, por te emocionet e nisjes së një rrugëtimi të ri. Mes më të vegjëlve nuk munguan lotët për ndarjen nga prindërit.

42 shkolla të reja në mbarë vendin kanë ulur numrin e nxënësve për klasë, ndërsa në Tiranë është zgjidhur pjesërisht mësimi me turne. Shkolla “Pjetër Dudi” në kryeqytet është një nga institucionet më të reja arsimore. Prindër e mësues i gëzohen jo vetëm ambienteve të reja, por kryesisht eliminimit të turneve për zhvillimin e mësimit.

Drejtues të ministrisë së arsimit tregojnë disa nga risitë për këtë vit shkollor, ku një ndër më të rëndësishmet është eliminimi i turneve në gjimnazet e Tiranës.

Mbi 400 oficerë sigurie dhe 900 psikologë e punonjës socialë në mbarë vendin do të jenë pranë shkollave gjatë gjithë vitit mësimor. 20 shkolla në Tiranë do të monitorohen me kamera inteligjente për të rritur sigurinë në ambientet e shkollave, ndërsa nga 1 tetori pritet të nisë procesi “pas shkolle” në 408 institucione arsimore.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos