“Nuk ngjit dot shkallët e skenës”. A wshtë kjo arsyeja pse, nën drejtimin e Aulon Naçit dhe Ministrisë së Kulturës të Blendi Gonxhes, Teatri i Operës nuk punëson tenorin Diego Zelka? I lindur i verbër, ai ia ka kushtuar gjithë jetën muzikës, ka investuar prej vitesh në arsimim për t’u bërë një profesionist i denjë i skenës. Pasi ndoqi liceun artistik, ku çdo ditë shoqërohej nga e ëma, përfundoi 5 vite universitetin në Akademinë e Arteve. I përgatitur për të hyrë në tregun e punës, Diego sot përballet me një realitet të hidhur: paragjykime fizike dhe përjashtim institucional.
Në emisionin “Sepse” nga Arestina Skënderi, në A2 CNN, Diego Zelka rrëfeu historinë e jetës së tij, por edhe pengun më të madh, mos punësimin. Ai thekson se nuk i ka munguar vullneti për të kërkuar punë, por ka hasur refuzime të bazuara jo në aftësitë e tij artistike, por në gjendjen e tij fizike.
A është arsye për të mos punësuar tenorin Diego Zelka për faktin që ai është i verbër dhe se pretendohet se “nuk ngjit dot shkallët e skenës” apo se “nuk ka kush ta shoqërojë”, pavarësisht formimit të tij profesional dhe detyrimit ligjor të institucioneve publike për të garantuar kushte pune për personat me aftësi të kufizuara?
Arestina Skënderi: A ke kërkuar ndonjëherë punë, si pedagog apo si tenor?
Diego Zelka: Patjetër që po. Unë nuk kam pritur të mbaroj shkollën. Që në vitet e para të universitetit fillon të imagjinosh veten në skenë, ndjen aromën e saj, ndjen duartrokitjet. Por realiteti nuk është kështu. Kur mbarova studimet, isha shumë realist. Pavarësisht një rrugëtimi të mirë shkollor, një diplome të bukur dhe një investimi të madh personal, nisa të kërkoj punë, por...
Arestina Skënderi: Çfarë ndodhi?
Diego Zelka: Kam hasur paragjykime fizike që nuk janë aspak normale. Më është thënë se “nuk ngjit dot shkallët”, gjë që nuk është e vërtetë. Çdo institucion e ka detyrim ligjor të krijojë kushte për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Është detyrë e çdo regjisori dhe dirigjenti të gjejë rrethanat e duhura, të krijojë fleksibilitet dhe të bëjë të mundur ekzistencën time në skenë. (A2 Televizion)