Pa rrugë, shkollë e ambulancë, si braktiset vendi i fëmijërisë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2026, 16:11 | Sociale

Fshati Lavdar i Korçës ka qenë një nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj bashkie, ndërsa së fundmi këtu jetojnë vetëm 20 shtëpi. Thuajse të gjithë e kanë braktisur shtëpinë aty.

Nuk ka ambulancë, por edhe po të kishte, nuk ka rrugë. Nuk ka as shkollë.

“Lutemi bashkisë po pati mundësi të bëhet diçka, kemi qenë fshati më i madh. Banorët për shkak të rrugës, shkollës, e largësinë e qytetit. Fëmijët tanë rriten në Australi, Amerikë. Duan të vijnë prapë, të ndërtojnë, por nuk kanë mundësi po nuk u bë rruga. Po u bë rruga, mund të afrohemi prapë në fshat”, shprehen banorët për A2CNN. 

Çdo mes gushti, lavdarakët mblidhen për të festuar festën e fshatit të tyre, ku emigrantët kthehen në vendin ku kanë lindur për të kujtuar fëmijërinë e tyre, edhe pse kthimi është i vështirë, pasi ende rruga mungon. 

Ish banorët e Lavdarit i kërkojnë shtetit që të investojë për rrugën, ku ata të kenë mundësi të rindërtojne shtëpitë e tyre në fshatin ku u lindën dhe u rritën: “Mirë është të rregullohet. Sa që arrijmë bëhet kjo festë, rruga duhet të bëhet. Njerëzit vijnë prapë. Po qe rruga e rregullt, bëhen edhe banesat. Nga rruga iku fshati jonë. Ka qenë 480 shtëpi, sot hiç. Së shpejti, siç kemi ndërtuar botën, do sjellim nga një shtëpi në fshatin Lavdar. Vetëm bekimet duan, se duart i kemi vetë”. 

Fshati Lavdar është vetëm 30 minuta larg Korçës, por shumë larg realitetit të Korçës festive dhe të mbushur me turistë, me gjallëri dhe jetë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos