“Krishtlindja, dhurata për njerëzimin”, mesazhi i Imzot Arjan Dodaj për politikën, të rinjtë dhe familjen

Nga Ornela Joti
25 Dhjetor 2025, 11:09 | Sociale

Krishtlindja është një nga festat më të veçanta për besimtarët e krishterë në mbarë botën. Atmosfera dhe simbolika e Krishtlindjes ndihet veçanërisht në kisha, por edhe në zbukurimet festive në rrugë e sheshe. Arqipeshkvi Metropolitan për Tiranën dhe Durrësin, Imzot Arjan Dodaj, në një intervistë për A2 CNN tregon për rëndësinë e festës, mesazhin që përcjell Krishtlindja, por edhe për mesazhin e tij për mbarë besimtarët e jo vetëm.

“Monsinjor Arjan Dodaj, jemi në atmosferën e Krishtlindjeve. Por çfarë është kjo ditë? A është kjo dita më e veçantë për besimtarët e krishterë? Festa e Krishtlindjes është kaq e bukur saqë gërshetohet në mënyrë universale. Në fakt, në mbarë botën shenjat e lindjes së Krishtit janë të dallueshme, qofshin ato vende të krishtera apo myslimane. Krishtlindja në fakt është dhurata që Zoti i bën njerëzimit, duke i dhuruar Birin e vet.

Atëherë e shohim se edhe realitetet institucionale, për shembull institucione të ndryshme perëndimore, janë të shënuara nga shenjat e kësaj kohe, qoftë në Shtëpinë e Bardhë, qoftë në Parlamentin Evropian, apo në qeveri të ndryshme, siç janë ato italiane. Të gjitha janë të shënuara nga ardhja e Jezusit”, thotë ai.

Arqipeshkvi thotë se mesazhi i Krishtlindjeve është i ndryshëm nga viti në vit. Ai shkruhet nga vetë Imzot Arjan Dodaj, duke u bazuar në aktualitetin shqiptar, problematikat që ka hasur shoqëria gjatë këtij viti, sfidat dhe pritshmëritë.

 

“Mesazhi që jep Kisha Katolike është mesazhi i Ungjillit dhe është një mesazh që prek tërësinë e njeriut, nga ngjizja e tij deri në amshim. E kështu, mesazhi që jep Arqipeshkvi është një mesazh që aktualizohet në kontekstin ku po jeton shoqëria, pasi zëri i Kishës dëshiron të jetë një zë drite dhe ndërgjegjësimi. Ai dëshiron të jetë mbi të gjitha një fjalë për familjet, ato më në vështirësi dhe më në nevojë, një fjalë për të rinjtë që të zbresin nga skurajimet e tyre, por dhe nga çdo formë mediokriteti apo dembelizmi, dhe nga çdo realitet që i pezmaton. Ai i fton të rinjtë të zbresin dhe ta jetojnë jetën, të përveshin mëngët, të pranojnë sfidat e sotme dhe të ndërtojnë të ardhmen që ëndërrojnë. Jeta, kombi dhe populli u përkasin atyre”, shton ai.

Monsinjor Dodaj zbulon se mesazhi i tij këtë Krishtlindje do t’i kushtohet në mënyrë të veçantë rinisë dhe politikave mbështetëse ndaj tyre. Ai shpreh shqetësimin se rritja e çmimeve në të gjithë sektorët dhe dekurajimi i të rinjve për të krijuar familje po i largon ata gjithnjë e më shumë nga Shqipëria.

Vështirësitë që ata hasin shpesh mbeten të pashprehura dhe të panjohura për shumicën. Si mos të vihet re, për shembull, çmimi i jetës që është shumë i lartë në Tiranë? Nëse shikojmë për shembull tregun, çmimet janë më të larta se në Romë. Në jetën e përditshme, një familje nuk e di si ia del t’ia dalë në fund të muajit? Përballë një bote paralele, ku luksi dhe shpenzimet ekstreme krijojnë komplekse sociale. Monsinjori thotë se duhet të futemi pak në “xhepin” e të rinjve.

Pavarësisht komercializimit të Krishtlindjeve nga viti në vit, Arqipeshkvi flet për dhuratën e vërtetë që duhet t’i bëjmë fëmijëve dhe njëri-tjetrit në familje. “Duhet të rizbulojmë dhuratën që ata janë për njëri-tjetrin. Nuk mund të zëvendësojmë atë që jemi me gjërat që japim. Duhet t’u japim më shumë kohë fëmijëve tanë, prindërve, gjyshërve dhe miqve tanë. Kjo është dhurata më e çmuar sot. Një ndër dhuratat më të çmuara që po humbin është koha, e cila nuk kthehet”.

Kreu i Kishës Katolike nuk e fsheh faktin se këtë vit qytetet në Shqipëri, dhe veçanërisht Tirana, kanë qenë më të vakëta në dekor dhe festime. Monsinjor Arjan Dodaj shprehet falënderues veçanërisht ndaj të rinjve, të cilët gjatë meshave dhe ceremonive të ndryshme, si në këtë Krishtlindje, përbëjnë pjesën më të madhe të besimtarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos