Mjekja toksikologe, Suela Xhufi, thotë se duhen shtuar edhe më tepër kontrollet në shkollat shqiptare, për të luftuar përdorimin e substancave narkotike. “Sepse shkollat, tashmë, me sa kemi parë edhe në raste të ndryshme që janë paraqitur dhe janë përfolur, përballen me faktin që, përtej adoleshentëve që janë totalisht në një sjellje tjetër, për të cilën nuk po flasim tani, ka persona që afrohen, mbase shesin afër shkollave, mundohen të infiltrohen mes nxënësve, bëjnë mbrëmje të caktuara në shtëpi private. I marrin fëmijët, ku nuk janë të ftuar pedagogët. Unë e çoj fëmijën dhe nuk e di që nuk është profesori aty, dhe aty vijnë e ftohen”, tha ajo në “Dita jonë” në A2 CNN. “Për shembull, tre paciente që kam pasur unë, ashtu e kishin filluar kokainën: në një “party” ku kishin shkuar pa mbikëqyrje nga prindërit. Ju nda një vizë dhe kaq. Kështu filloi, në një “party” të izoluar”.
Sipas mjekes, ka edhe mënyra të tjera, si “peshkimi” në rrjetet sociale. “Ka shumë mënyra të tjera, me telefon, duke porositur një picë… ka shumë mënyra për ta marrë drogën. Edhe në TikTok, po, edhe këtu ka patjetër. Të gjitha rrjetet sociale. Domethënë, duhet ta dini një gjë, çfarëdolloj trendi që është jashtë, është edhe këtu. Edhe me postë vijnë kërpudhat, për shembull, kërpudhat “magjike”. Ka shumë përdorues. Pra ka pafund mënyra, sepse është biznes. Fundi i ditës, ka mënyra masive, pra ndryshon infrastruktura”, tha Xhufi.
Sipas saj, fëmijët përdoren në dy mënyra: edhe si përdorues, edhe si shpërndarës. “Sepse, e para, nuk kapen nga ligji dhe, e dyta, sa më shpejt që ta fillojë ai përdorimin e drogës, aq më i varur bëhet, aq më konsumues bëhet”.
(A2 Televizion)