Veprimet që shpëtojnë jetën pas aksidentit dhe gabimet që bëni ndaj një të aksidentuari

Nga Armend Pire
22 Dhjetor 2025, 11:27 | Sociale

Prania në një vend aksidenti mund të jetë jetëshpëtuese por në disa raste bëhet edhe jetëkërcënuese për të dëmtuarin. Euforia për të dhënë ndihmën e parë duhet të shoqërohet me një qetësi dhe kujdes të veçantë gjatë ndërhyrjes apo veprimeve të caktuara. I ftuar në studion e emisionit Diagnozë në A2 CNN, me autorësinë dhe moderimin e Freskida Milotit, Prof. Dr. Agron Dogjani, kirurg i përgjithshëm në Spitalin Universitar të Traumës, shpjegoi veprimet e thjeshta që duhen bërë për dhënien e ndihmës së parë. Mbyllja e hemoragjisë së një plage me shtrëngim apo presion mbi të, lirimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe telefonimi ndaj Urgjencës Kombëtare në numrin 127 për mbërritjen e ekipeve mjekësore, janë hapat kryesore sipas kirurgut.

“Në momentin e parë kur ndodh trauma është e rëndësishme të ketë persona të cilët japin ndihmë në mënyrë adekuate. Në këto raste një menaxhim krejt I thjeshtë, me gjëra krejt bazike. Së pari, ndalimi i hemoragjisë, me procedurë krejt të thjeshtë, që nga komprimimi lokal ose me shtypje mbi nivelin e plagës. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë me lak hemostatik që realizohet 5 cm mbi nivelin e plagës së dëmtuar ku ka hemoragji. Element tjetër pozicioni i sigurisë, do të thotë që pacienti mos të vetëmbytet. Lihet në një pozicion lehtësisht lateral që gjuha most ë bllokohet dhe pacienti të marrë frymë lirshëm. Menjëherë sa kryen këto procedura duhet telefonuar 127, ekipet mjekësore të urgjencës” – shpjegoi mjeku.

Përveç rasteve kur kemi një ndihmë mjekësore dhe të shpejtë ndaj të aksidentuarëve në mënyre korrete, jo të pakta janë rastet kur shkaktohen dëmtime më të rënda ndaj të aksidentuarit. Mitet janë të shumta, duke shkaktuar veprime të nxituara ndaj të dëmtuarit apo plagës së marrë. Ndonjëherë edhe duke i dhënë ujë të aksidentuarit. Shumë të aksidentuar transportohen ende me makina të rastit drejt spitalit duke u shkaktuar dëme deri në paralizë. Kirurgu tha se edhe aplikimi i disa lëndëve si sheqeri, duhani, apo alkooli mbi plagë është një metodë e gabuar e dhënies së ndihmës së parë.

Protokolli mjekësor është garancia për shëndetin e çdo qytetari. Edhe atëherë kur situata duket e qetë dhe aspak shqetësuese, gjithmonë rekomandimi i mjekëve është parësor për t’u zbatuar. Neglizhenca sjell pasoja të rënda, teksa nuk mungojnë rastet kur pacientët kanë humbur edhe jetën.

“Më vjen një pacient, i cili ishte moshë e re. Bëhet fjalë në vitet 93-94, ishte rrëzuar duke hipur në makinë, në ato kohë ishin ato makinat me karroceri. Ne i kërkuam të rrijë në spital, ajo që quhet periudha e observimit, ai tha emër, mbiemër, të gjitha i tha të sakta fare. Me këmbënguljen e atij, ishte kokëfortë, tha do iki në shtëpi. Vjen pas disa orësh, në koma. Vdiq. Kemi pasur një rast tjetër, në 97’-tën nga plumbat. Një personeli mjekësor I kishte hyrë një plumb qorr në kokë. Personeli mjekësor u angazhua në përkujdesje, por ai nuk pranoi të qëndronte në shtrim. I them bashkëshortes së tij, të lutem ki kujdes gjatë qëndrimti në shtëpi. Të nesërmen e gjetën në shtëpi të vdekur” – tregoi kirurgu.

Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionistë që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos