Në këtë mëngjes festiv të Krishtlindjes, studioja e Dita jonë në A2 CNN mirëpriti Elmas Koçin, sekretar i përgjithshëm, dhe Resmi Kurtin, kryetar i Shoqatës së të verbërve dhe personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Ata kanë marrë një nismë të bukur për të qenë pranë njerëzve në nevojë dhe për të dhënë mbështetje materiale dhe morale, sidomos gjatë periudhës së festave.
Gjatë festave, shoqata shpërndan ushqime, veshmbathje dhe ndihma të tjera, falë kontributit të bizneseve të vogla dhe qytetarëve. Shpërndarja bëhet me lista dhe firmë për transparencë.
“Një invalid i grupit të dytë përfiton rreth 87 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa një person i verbër rreth 150 mijë lekë të vjetra. Me këto të ardhura është jashtëzakonisht e vështirë të përballohen shpenzimet bazë si ushqimi, dritat, uji apo ilaçet, të cilat shpesh nuk rimbursohen plotësisht”, tha Koçi. “Gjatë festave të fundvitit ne përpiqemi, falë ndihmës së bizneseve të vogla dhe qytetarëve, të shpërndajmë ushqime dhe veshmbathje për personat në nevojë”.
Shoqata ka rreth 12 mijë anëtarë, por jo të gjithë janë të evidentuar për shkak të mungesës së fondeve dhe mjeteve të lëvizjes. Shumë prej tyre jetojnë të vetmuar dhe përballen me nevoja të mëdha: disa pa dorë, disa pa këmbë, të verbër ose me aftësi të kufizuara të tjera.
Ata theksuan se ndihma morale është po aq e rëndësishme sa ajo materiale. Ata bëjnë thirrje për qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë pranë zyrës së shoqatës, pranë Dispanserisë së Tiranës, në rrugën “Siri Kodra”, për t’i dhënë mundësinë edhe këtyre njerëzve të kenë një fundvit më të ngrohtë dhe të sigurt. (A2 Televizion)