Gazetaria shqiptare ka humbur një nga zërat e saj më të veçantë. Kolegë dhe miq kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Rezarta Reçit, gazetares së njohur, e cila u dorëzua pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit.
Një nga intervistat e saj të fundit u realizua nga moderatorja Freskida Miloti në emisionin “Diagnozë”. Edhe pse e diagnostikuar dhe në trajtim, Rezarta zgjodhi të fliste me sinqeritet, por pa e quajtur veten “të sëmurë”. Ajo madje mbante një ditar ku kishte përmbledhur përjetimet dhe reflektimet mbi jetën dhe sfidat personale.
“Tha nuk dua ta quaj veten të sëmurë. Dhe madje unë tha kam një ditar të cilin, si dhe kam shkruar edhe në libër. Janë pjesë të përjetimeve të mia që unë mendoj se i vlejnë”, kujton Freskida Miloti në intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN. “Pra kishte shkruar për sëmundje dhe për atë se çfarë po kalonte. Librin e saj “Kolonë Zanore” të shkruar shumë bukur nga Rezarta, tha se nuk kishte besim nëse duhet ta shfaqte. Megjithatë tha, ia dhashë miqve të mi të ngushtë, rrethit të ngushtë për ta vlerësuar si libër. Kishte marrë konsiderata dhe kishte marrë vërtetë vlerësime për atë çfarë kishte shkruar. Dhe e ndau atë moment të saj në emision. Sigurisht folëm edhe para dhe pas emisionit për atë çfarë ajo po kalonte, por më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme se me sa guxim, forcë po e kalonte, ecte, dilte çdo ditë. Mundohej të mos ta kujtonte gjatë bisedave me miqtë e saj”.
Miloti shtoi se Reçi mbeti deri në fund shembull force dhe dinjiteti: gjithmonë e kuruar në imazh, me buzëqeshje dhe me dashuri për jetën. Nuk donte që sëmundja ta përkufizonte apo t’ua transmetonte të tjerëve si barrë. (A2 Televizion)