Shpërthimi i virozave në Korçë, deri në 70 vizita në ditë nga mjekët e spitalit të pediatrisë

Nga A2 CNN
31 Janar 2026, 14:32 | Sociale

Deri në 70 vizita në ditë janë kryer gjatë muajit janar nga mjekët e Spitalit të Pediatrisë në Korçë për shkak të shpërthimit të virozave të stinës, kryesisht të gripit të tipit A. Shefi i shërbimit të pediatrisë, Robert Rado, tregon se rastet kanë qenë të shumëllojshme, nga ato më të lehta, por edhe raste me komplikacione të rënda, të cilat kanë kërkuar trajtim spitalor.

“Kemi një shfaqje të viruseve të gripit, të cilët janë kryesisht të tipit A, pra influenca e tipit A, e cila shkakton simptoma të gripit me temperaturë dhe me simptoma të rrugëve të sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes”, thotë ai për A2.

Mjeku sugjeron që të evitohen sa më shumë grumbullimet, në mënyrë që virusi të mos përhapet, pasi ky lloj gripi shoqërohet me temperaturë të lartë dhe të zgjatur, çka e bën edhe më të vështirë kurimin.

“Në qoftë se temperatura zgjat mbi një javë, duhet patjetër t’i drejtohemi mjekut të familjes apo mjekut specialist për të parë nëse kemi komplikacione dhe në cilin sistem ka dhënë ndërlikime”.

Një dietë e shëndetshme, si dhe konsumimi i lëngjeve dhe çajrave, janë të domosdoshme për të gjithë qytetarët, sidomos për fëmijët e prekur nga gripi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos