“Rrezikon dhe jetën duke puthur fëmijën”, alarmon mamia

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 10:05 | Sociale

Puthja e foshnjave nga familjarë dhe të afërm, edhe pse shihet si shprehje dashurie, mund të kthehet në një rrezik serioz për shëndetin e tyre. Specialistët paralajmërojnë se në muajt e parë të jetës, imuniteti i bebes është shumë i dobët dhe viruset apo bakteret mund të transmetohen lehtësisht përmes pështymës dhe kontaktit me lëkurën.

Mamia Razije Musa tha në “Dita jonë” në A2 CNN se raste të rënda janë raportuar edhe ndërkombëtarisht, ku fëmijë kanë humbur jetën ose kanë pësuar pasoja të rënda shëndetësore pas infektimit me herpes simplex, një virus që shpesh shfaqet si “puçërr” në buzë, por që tek foshnjat mund të shkaktojë komplikacione serioze, deri në dëmtime të syve apo të sistemit nervor. “Absolutisht po”, tha Musa. “Këtu në Angli, para dy vitesh, ka vdekur një fëmijë për shkak të puthjes së duarve. Pas një jave nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot”.

Dermatologia Amarilda Lame tha gjithashtu se, edhe kur tek të rriturit infeksioni kalon lehtë ose pa simptoma, te bebet mund të jetë shumë i rrezikshëm. Prandaj këshillohet që në muajt e parë, kontakti i drejtpërdrejtë, sidomos puthjet në fytyrë, duar apo sy, të shmangen.

“Prandaj janë shumë të rëndësishme vizitat specifike tek mjeku dermatolog për ta ekzaminuar dhe për ta kuptuar atë irritim lëkure i cili shpesh herë nga larg duket njësoj. Në disa raste ato e ngatërrojnë, mund t'ju duket sikur është herë pesë, por mund të jetë një sëmundje tjetër inflamatore e krijuar nga vetë organizmi apo e transmetuar”, tha Lame.

Prindërit ftohen të vendosin kufij dhe të mos hezitojnë të thonë “jo”, edhe kur bëhet fjalë për gjyshër apo të afërm, sepse mbrojtja e shëndetit të fëmijës duhet të jetë gjithmonë prioritet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos