Matura Shtetërore ka mbyllur procesin e saj edhe për këtë vit. Maturantët kanë dhënë edhe provimin e fundit, atë të lëndës me zgjedhje, që tregon orientimin e të rinjve drejt degëve shkencore apo shoqërore në universitete, shkruan A2 CNN. Pas dy orë e gjysmë testimi, të rinjtë janë shprehur optimistë për provimin e fundit, ndërsa na tregojnë pak nga planet e tyre për studimet e larta.
Edhe provimi i lëndës me zgjedhje nuk i ka shpëtuar publikimit të tezave në rrjetet sociale. Pak pas nisjes së provimit, tezat e lëndëve të ndryshme kanë bërë xhiron e zakonshme online. Edhe Ministria e Arsimit hodhi në faqen e saj të njëjtin reagim, se dalja e tezës nuk e cenon standardin e Maturës Shtetërore.
Ndërkohë, maturantët janë në pritje të rezultateve të matematikës dhe pas një jave edhe të notave të provimit me zgjedhje. Në fund të korrikut do të nisin plotësimin e formularit A2 me 10 degët e preferuara për studimet e larta. (A2 Televizion)