Sipas një raporti të UNDP, 13% e pensionistëve marrin rreth 10 mijë lekë në muaj. Ndërkohë statistikat tregojnë se numri i tyre arrin deri në 120 mijë pensionistë. Një shifër mujore që për shumicën e tyre nuk përballojnë dot as shpenzimet shëndetësore.
Fatmir Meta ka punuar për 50 vite në bujqësi. Sot është 65 vjeç, dhe pensioni që merr e cilëson si qesharak. Pa ndihmën e të birir, Fatmiri do të ishte në mesin e shumë pensionistëve të cilët sot kanë vështirësi edhe të sigurojnë vaktet ushqimore.
“Marr 100 mijë lekë, asnjë lekë më shumë. Nuk e përballojmë dot jetesën. Kam një djalë që më ndihmon por edhe ai është familjar për vete. Pensionet duhet të ishin 300 mijë lekë.”
Ndryshe nga Fatmiri, Livani një tjetër pensionist thotë se i ka derdhur vet kontributet, pasi puna në të zezë nuk ia siguronte këtë mundësi.
“Marr 165 mijë lekë. Kam punuar në punë private dhe i kam derdhur vetë sigurimet. Ç'të bëjë? Të paktën të ha dy vakte, jo tre.”
Për 6 muajt e parë të vitit mbi 48 mijë shqiptarë kanë zgjedhur që të derdhin vetë kontributet për pension, një fenomen ky në rritje shpjegon pedagogia Eriola Hoxha.
“Shohim një kulturë të shtuar financiare të qytetarëve shqiptarë, të orientuar drejt kontributit vullnetar. Kjo për shumë faktor. E para kjo në një ekonomi e cila ecurinë e ka drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Por sigurisht ka faktor si inflacioni, apo rritja e përgjithshme e çmimeve, dhe skema e kontributit të pensioneve në vendin tonë është një skemë që dhe pas ndryshimeve të herëpashershme që ka pësuar, mbetet me pensione shumë të ulta."
Për pensionistët shpëtimi i vetëm duket se është arritja e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi Unioni dikton rregulla të reja edhe për këtë kategori.
“Në gjithë vendet e Europës por edhe në botë pensionet nuk janë më të ulta se 50% e pagës minimale në shkallë vendi. Prandaj ka dal 200 euro, edhe si objektiv e partive politike që garuan në 11 maj, qoftë nga qeveria që shpalli objektivin që në vitin 2030 të japi atë pension”, tha për A2 CNN Kujtim Hoxha, ekspert për pensionet.
Sot në Shqipëri 117 kontribuues u mundësojnë pensionin 100 pensionistëve, shifra më e ulët ndonjëherë sa i përket mbledhjes së të ardhurave. (A2 Televizion)