Blerina Abazi, infermiere në Gjermani, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, tregoi se si e priti punëdhënësja në aeroport.
“Doja vetëm të ikja në Gjermani, të punoja si infermiere atje. Se çfarë më priste, sa vështirë do ishte nuk i mendova fare. Pritja nga punëdhënësja ishte shumë e mirë, gjë që nuk e prisja. Më priti krahëhapur në aeroport, me ato parrullat në dorë si nëpër filma. Më përqafoi dhe më është dukur sikur më përqafoi mamaja ime”, tha Abazi.
Më tej, ajo tregoi edhe vështirësitë që ka hasur në fillim: “Vështirësi ka pasur pafund me kolegët dhe te pjesa e gjuhës. Kishin dialekt tjetër dhe ishte e vështirë për mua. Nuk të jepnin suportin që duhet t’i japësh një fillestari. Nuk të shpjegonin procedurat e shumë gjëra si këto. Por, unë kisha vendosur që nuk do të kthehesha mbrapsht sepse po punoja në profesionin tim dhe kisha siguri financiare”. (A2 Televizion)