Vjosa dhe Dea janë motra. 10 vite më parë ato u aksidentuan nga një makinë pak pasi kishin dalë nga puna dhe po ktheheshin për në shtëpi. Të dyja motrat patën të njëjtin fat në dëmtim, secila humbi njërën këmbë.
Edhe Enver Shkopi pësoi një aksident të rëndë në punë. Ai ishte elektriçist kur tensioni i lartë i karbonizoi të dy krahët.
Akoma më e vështirë është jetesa e Besnik Gjokës. Përveç pamundësisë për të lëvizur, atij i nevojitet dhe një aparaturë për t’i rikthyer zërin si dhe të mbajë laringun të pastër nga ndotja.
Albioni nuk ka ecur kurrë. Që ditën e tretë të lindjes ai u paralizua për shkak të sëmundjeve. Shpresat janë që të eci nëse i mundësohet një ndërhyrje kirurgjikale, thotë e ëma, shkruan A2.
Për Artjanin sot është një ditë e lumtur. Proteza që po provon është e rehatshme dhe mund të eci pa shumë probleme. Frymëzim për këta persona që kanë nevojë për proteza dhe shërbime të tjera është Izet Onuzi. Një aksident në tren i mori të katër gjymtyrët, por bashkë me djalin ka hapur një punishte për prodhimin e protezave.
Sytë për të ndihmuar këta persona janë nga donatorët, teksa Izeti shprehet se qindra pacientë sot kanë proteza falë kontributeve të tyre. Abdulrahmani është një shtetas turko-gjerman. Ai erdhi rastësisht në punishten e Izetit, por që nga ajo ditë është angazhuar për të siguruar sa më shumë donacione për të ndihmuar me proteza dhe shërbime të tjera shëndetësore: “7 vite më parë unë humba djalin tim që ishte dy vjeç. Në këtë moment bota ime u shemb dhe thashë, po tani, ç’do të bëj? Nga këtu nisa të krijoj një shoqatë për donacione për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Për qendrën e prodhimit mësuan rastësisht kur erdhëm në Shqipëri dhe tani jemi miq dhe mbështetës të njëri-tjetrit. Vëllai im Izeti ka nevojë për ne, por dhe ne kemi nevojë për atë për të ndihmuar këta njerëz. Do të kthehemi herën tjetër pas disa muajsh. Nuk do t’i ndihmojmë këta njerëz vetëm me para, por duam t’u japim shpresë. Kur e shoh vëllain tim Izetin me katër gjymtyrë të amputuar që qesh gjithmonë, jep kurajo, ndihem shumë mirë dhe i motivuar. Ndaj është e rëndësishme që të ndihmojmë njerëzit së bashku”.
Në Europë shqiptarët shihen si një popull i pasur dhe shpesh Abdulrahmani thotë se hasin vështirësi për mbledhjen e fondeve: “Është pak e vështirë për të mbledhur donacione në Gjermani apo në Europë, pasi kur shohin emrin e Shqipërisë apo Turqisë për ndihma pyesin përse? Ata shohin shqiptarët ose turqit në Gjermani me makina të shtrenjta dhe mendojnë se këto janë vende të pasura. Por, këtu realiteti është ndryshe. Ndaj, ne na duhen histori të vërteta për të ndihmuar, në mënyrë që dhuruesit të shohin dhe të besoj se realisht ka shumë nevojë për ndihmë te këta njerëz dhe ta na besojë”.
Kërkesa për proteza në këtë punishte është e lartë. Kostot për një të tillë shkon deri në 1500 euro, shumë të cilët personat me gjymtyrë të amputuar e kanë të pamundur ta përballojnë. Ndaj, thirrja shkon për çdo donator, për të kontribuuar në prodhimin e protezave, aq shumë të nevojshme për këta persona. (A2 Televizion)
