Jo vetëm që është çarë, por në çarjet ka filluar të mbijë edhe bari. Edhe pse mund të duket si një rrugë e braktisur që nuk përdoret për vite të tëra, në fakt është segmenti kryesor rrugor që lidh Frashërin me Belinën dhe shumë fshatra të tjerë të Bashkisë së Patosit.
Mjetet duhet të kryejnë manovra nga njëri kah në tjetrin për të shmangur gropat që ndryshe do të thotë çarjet e gomave.
E ndërsa gjatë ditës këto gropa shquhen mirë, gjatë natës dhe me kohë me reshje, situata bëhet akoma më e vështirë, shkruan A2.
Banorë të zonës shprehen se rruga është sfidë e vërtetë për drejtuesit e mjeteve, ku nuk kanë munguar as aksidentet dhe as dëmtimet e mjeteve.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Patos, Fatjon Duro, i kontaktuar në telefon nga A2CNN ka pohuar se duke qenë se kjo problematikë shumëvjeçare është kthyer në gangrenë për drejtuesit e automjeteve, është vlerësuar me prioritet dhe është parashikuar për rikonstruksion në buxhetin afatmesëm të bashkisë për vitin 2026. (A2 Televizion)
