Vjeshtë plot Omicron, si ndikoi vaksinimi i Trump në Shqipëri?

Nga Ornela Joti
23 Tetor 2025, 15:15 | Sociale

Nëse gjatë kësaj periudhe po kaloni një situatë viroze që mendoni se është grip, në fakt nuk është gjë tjetër veçse Covid. Varianti Omicron i Covid-19 po mbizotëron këtë sezon vjeshte në vendin tonë, shkruan A2 CNN. Infektimet janë rritur ndjeshëm në të gjitha grupmoshat, dhe kjo ndihet edhe nga fluksi i vizitave në qendrat shëndetësore dhe në spitale.

Mjekët thonë se, krahas Covid-it, në qarkullim janë edhe virozat tipike të vjeshtës, por gripi ende nuk ka mbërritur. Kjo situatë epidemiologjike, me gripin në prag dhe Omicronin shumë ngjitës në qarkullim, ka shtuar interesin e qytetarëve jo vetëm për vaksinën e gripit, por edhe për atë të Covid-it.

Lajmi i ditëve të fundit ishte se edhe vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i njohur për politikën skeptike ndaj vaksinave dhe veçanërisht ndaj asaj të Covid-it, iu nënshtrua protokollit mjekësor. Mediat prestigjioze amerikane publikuan memorandumin zyrtar të lëshuar nga mjeku i Presidentit Trump. Në dokumentin e datës 10 tetor, përveç kontrolleve shëndetësore që ka kryer kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump është vaksinuar kundër Covid-19 dhe kundër gripit sezonal.

“Në përgatitje për udhëtimet e ardhshme ndërkombëtare, Presidenti Trump kreu gjithashtu kontrolle shëndetësore parandaluese dhe vaksinime, përfshirë vaksinën vjetore kundër gripit dhe dozën përforcuese të përditësuar kundër Covid-19”, thuhet në memorandum.

Madje, vaksinimi i Donald Trump ka dhënë efekte të menjëhershme edhe në vendin tonë, me rritjen e vaksinimeve ndaj Covid-it. Burime i thanë A2 CNN se vetëm një ditë pas vaksinimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Ambasada Amerikane në Tiranë ka kërkuar nga autoritetet shëndetësore shqiptare mbi 60 doza vaksine anti-Covid për personelin e saj.

Ndërkohë, në qendrat shëndetësore të vendit tonë vijon edhe vaksinimi ndaj gripit, me ritme më të shtuara, për të mbrojtur popullatën e rrezikuar nga agresiviteti i tij apo mbivendosjet me Omicronin dhe virozat e tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos