Në emër të turizmit, Gjirokastra po bëhet një qytet i papërballueshëm për familjet që nuk kanë një banesë të tyren dhe kërkojnë të jetojnë me qira.
E njëjta situatë e vështirë është edhe për studentët që vijnë të studiojnë në universitetin “Eqrem Çabej” apo për të punësuarit në subjekte private dhe institucione shtetërore që vijnë nga qytete të tjera, shkruan A2.
Por, sa janë çmimet e apartamenteve me qira në Gjirokastër dhe çfarë ndikon në përcaktimin e tyre? Valbona Bani, agjente imobiliare, shprehet: “Një apartament 1+1, rreth 60 metra katrorë, shkon 300-350 euro. Ndërsa apartamentet 2+1, 80-100 metra katrorë, kapin vlerën 400-600 euro. Ka shumë kërkesa, por nuk i marrin”.
Pavarësisht çmimeve të larta kërkesat edhe nga studentët mbeten të larta për apartamente me qira, edhe pse konvikti i universitetit ka kushte të mira dhe një çmim shumë herë më të ulët sesa vlera e apartamenteve me qira.
Me sa duket, turizmi po vështirëson jetën e shumë familjeve, të cilat me rritjen e çmimeve të qirave të apartamenteve sezon pas sezoni edhe brenda vitit, e kanë thuajse të pamundur të përballojnë kostot. (A2 Televizion)