Nuk kanë transport, nxënësit bojkotojnë mësimin, protestojnë prindërit

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
9 Shtator 2025, 15:09 | Sociale

Nxënësit e shkollës “Met Hasa” në Porto Romano në Durrës ende nuk e kanë nisur procesin mësimor. Shkak është bërë mungesa e transportit për to deri në shkollën pritëse pasi shkolla e tyre po rikonstruktohet. Prindërit kanë protestuar për të tërhequr vëmendjen e institucioneve.

Prindërit e rreth 180 nxënësve të shkollës 9-vjecare “Met Hasa” në zonën e Porto Romanos në Durrës, kanë protestuar këtë të martë në lidhje me pasigurinë sipas tyre të fëmijëve për të shkuar dhe ndjekur mësimet në shkollën “Neim Babameto”, pasi shkolla e tyre po rikonstruktohet.

Drejtues të ZVA Durrës kanë lajmëruar prindërit dhe nxënësit se duhet të shkojnë në shkollën pritëse me linjën e urbanit, Porto Romano - Spitallë.

Pikërisht ky vendim ka irrituar dhe shqetësuar prindërit të cilët e cilësojnë të pasigurt këtë lloj transporti dhe të pamundur për të përballuar kostot financiare

Nxënësit kanë dy ditë që kanë bojkotuar procesin mësimor, ndërsa prindërit kanë paralajmëruar bojkot derisa zyra arsimore të caktojë një transport të dedikuar për këta nxënës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos