Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka njoftuar të gjithë personat që po përgatisin dokumentet për të përfituar pensionin, se mungesa e Librezës së punës nuk i penalizon nga e drejta e përfitimit, shkruan A2 CNN.
“Në formularin e aplikimit online, në Seksionin III, B 1., ju duhet të deklaroni saktë periudhat e punës dhe ndërmarrjet apo institucionet ku keni punuar. Certifikata familjare, certifikata e martesës (kur deklarohen saktë të dhënat nga kërkueset), vërtetimi për periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për burrat, vërtetimet që provojnë periudhat e sigurimit dhe pagat kontributive sigurohen nga ISSH”, thuhet në njoftim.
Për të përfituar pension pleqërie, krahas aplikimit online përmes platformës e-albania, një qytetar duhet të paraqesë edhe dokumentet përkatës që provojnë periudhën e tij të punës dhe historinë kontributive.
Dokumentacioni që paraqitet për pension pleqërie:
Librezë pune apo vërtetime mbi periudhat e punës (nëse keni).
Diplomë e Shkollës së Lartë (nëse e keni kryer shkollën e lartë).
Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë (nëse i jeni drejtuar Gjykatës për këtë çështje).
Kopje e librezës së energjisë elektrike (nëse kërkoni edhe kompensim energjie).
Çdo dokument tjetër që i shërben vërtetimit të periudhave të sigurimit. (A2 Televizion)