Natyrë dhe shërbim/ Leskoviku, atje ku turisti gjen origjinalitetin

Nga A2 CNN
20 Shtator 2025, 14:32 | Sociale

Një natyrë gati e pikturuar, ajri i pastër dhe një infrastrukturë rrugore dhe akomoduese gjithnjë në rritje, po e kthejnë Leskovikun dhe zonën përreth në një nga atraksionet kryesore të turistëve vendas dhe të huaj.

Irma Mihali, guidë turistike, shprehet për A2CNN: “Ka shumë grupe, sidomos në Francë, të cilët e konsiderojnë udhëtimin e shekullit. Mezi presin të vijnë dhe kur ikin janë shumë të kënaqur sepse duan natyrën, qetësinë dhe origjinalitetin që neve kemi”.

Ky fakt pohohet edhe nga përgjegjësja e turizmit në Bashkinë e Kolonjës, e cila rendit preferencat e turistëve të huaj në zonë. Anila Çuçllari thotë: “Preferohen zonat karakteristike, polakët parapëlqejnë atraksionet natyrore”.

“Kulm Resort” është nga subjektet akomoduese më të reja në zonë dhe që me peizazhin përreth, kushtet dhe natyrisht ushqimin tradicional, ka tërhequr menjëherë interesin e turistëve.

Një prej klientëve të këtij resorti ishte edhe somelieri i verërave Joseph Darrel, i cili jep përshtypjet e tij nga vizita në këtë zonë: “Së fundmi, vizitova njësitë e zonës, një hotel dhe restorant i ri në zonën e Leskovikut dhe mbeta shumë i impresionuar. Cilësia është e shkëlqyer, moderne, por njëkohësisht e ndërthurur me elementë vendas si guri. Dhomat janë shumë të bukura dhe të rehatshme. Zona përreth është mahnitëse, me male, lugina, shtigje për ecje dhe biçikleta, duke e bërë një destinacion perfekt për ushqim, verë dhe aktivitete në natyrë. Ajo që e bën edhe më të veçantë është bukuria e paprekur natyrore, e cila krijon një përvojë autentike dhe çlodhëse për vizitorët”.

Vitet e fundit, në zonë numërohen të paktën 60 mijë vizitorë në vit, numër ky që synohet të rritet më tej sa për resurset natyrore, aq edhe prej mikpritjes, kulinarisë dhe origjinalitetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos