Premtimet e pambajtura, sërish mësim me turne, zvarriten punimet në shkolla

Nga Ornela Joti
18 Shtator 2025, 15:21 | Sociale

Nëse në rrethe shkollat po mbyllen nga mungesa e nxënësve, Tirana nuk ka mjaftueshëm institucione arsimore për të siguruar mësim normal për të gjithë. Këtë vit arsimor, në 25 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në kryeqytet, mësimi vijon me dy turne.

Në disa zona të mbipopulluara të Tiranës, si Fresku, Astiri apo “Komuna e Parisit”, ende nuk ka shkolla të ndërtuara. Diku sapo kanë nisur punimet, ndërsa në zona të tjera, si Kombinati, zvarriten pafund rikonstruksionet e godinave.

Në shkurt të vitit 2024, shkolla “Shyqyri Peza” nisi punimet, ndërsa në tetor të po këtij viti, Erion Veliaj siguroi prindërit se shkolla do të ishte gati për vitin e ri shkollor. Krahas premtimit të arkivuar të kryetarit Veliaj, që sot ndodhet në paraburgim dhe në prag të shkarkimit nga të vetët, për 900 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza” asgjë nuk ka ndryshuar. “Lasgush Poradeci” është shkolla që pret pasdite nxënësit e “Shyqyri Pezës”.

Fëmijë e prindër nuk e fshehin shqetësimin për mësimin me turne dhe as mungesën e informacionit në lidhje me zvarritjen e punimeve. Mësimi me turne në Tiranë është bërë i zakonshëm, ndonëse për sociologët ai ka pasoja për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, shkruan A2 CNN.

Edhe këtë vit shkollor, në mbi 25 shkolla në kryeqytet mësimi zhvillohet me turne, për shkak të numrit të madh të nxënësve apo mbylljes së disa shkollave për shkak të rikonstruksionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos