Videot e efektivëve të policisë që tërheqin zvarrë studentët dhe prindërit e tyre teksa po përpiqeshin të regjistroheshin në konvikte, për të ndjekur studimet në universitetet e Tiranës, u bënë virale në rrjet. Disa prej prindërve madje janë shoqëruar në komisariat. “Ngjarja ka qenë shumë e shëmtuar”, thotë aktivisti Aurel Kujtimi në një prononcim direkt nga emisioni Puls në A2 CNN, me Bruna Çifligun.
Sipas tij, janë mbi 120 mijë studentë që vijnë çdo vit në Tiranë nga qytete të tjera dhe konviktet kanë në dispozicion vetëm 7600 shtretër. “Shtëpitë kanë shkuar mbi 600 euro, nuk mjafton rroga mesatare e studentëve, që marrin rreth 40 mijë lekë”, thotë... Kujtimi.
Sipas Desada Xhetanit, senatore në Senatin Akademik Universitetin e Tiranës dhe nënkryetare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, kaosi është shkaktuar edhe për faktin se vendet në konvikte ndahen përmes miqësive. “Këto dhoma jepen me mik, sepse nuk ka arsye tjetër që disa studentë të merren dhe të strehohen dhe disa të tjerë të nxirren dhe të dëbohen me dhunë”, tha ajo në një intervistë në Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN. “Nuk ishte normale deklarata e drejtoreshës së konvikteve që tha kishte fluks të pazakontë, prandaj ndodhi kjo gjë. Mendoj që dhuna e policisë, nuk justifikohet me fluksin”, shtoi ajo. (A2 Televizion)