Nga pickimet te helmimet, çfarë duhet të kemi në çantën e verës? Farmacistja Laurela Zani jep këshillat

Nga Freskida Miloti
23 Gusht 2026, 18:25 | Sociale

Pickimet e insekteve, diarreja e udhëtarit, helmimet ushqimore, djegiet nga dielli, infeksionet e veshit dhe problemet e lëkurës janë disa nga shqetësimet më të shpeshta gjatë sezonit të verës. Në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, farmacistja Laurela Zani shpjegoi cilat janë problematikat për të cilat qytetarët kërkojnë më shpesh këshillën e farmacistit dhe çfarë duhet të kenë me vete gjatë pushimeve.

Sipas saj, farmacia është shpesh pika e parë ku njerëzit drejtohen për një këshillë shëndetësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për shqetësime të lehta. Megjithatë, kur simptomat zgjasin ose përkeqësohen, pacienti duhet t’i drejtohet mjekut.

Nga pickimet e insekteve te reaksionet alergjike

Pickimet nga bletët, grerëzat dhe insektet e tjera janë veçanërisht të zakonshme gjatë verës, si në zonat bregdetare, ashtu edhe në ato malore.

Zani këshillon që në rastin e një pickimi të thjeshtë, zona të pastrohet dhe të mos vendosen produkte të ndryshme shtëpiake mbi lëkurë. Në rastin e pickimit nga bleta, thumbi duhet të hiqet me kujdes, pa e shtrydhur zonën.

Por situata ndryshon kur shfaqen shenja të një reaksioni të rëndë alergjik.

Vështirësia në frymëmarrje, ënjtja e gjuhës apo ndjesia e mbytjes pas pickimit janë shenja alarmi që kërkojnë ndihmë mjekësore të menjëhershme.

“Diarreja e udhëtarit, një tjetër problem i verës.”

Ndryshimi i ushqimit, ujit, rutinës dhe higjienës gjatë udhëtimeve mund të shoqërohet me shqetësime gastrointestinale.

Farmacistja thekson rëndësinë e hidratimit dhe zëvendësimit të elektroliteve në rastet e diarresë apo të vjellave.

Në çantën e ushqimeve, sipas saj, është e dobishme të ketë edhe produkte për rehidratim, ndërsa përdorimi i barnave duhet të bëhet me kujdes dhe, kur gjendja nuk përmirësohet, duhet kërkuar këshilla e mjekut.

Çfarë nuk duhet të mungojë në çantën e pushimeve?

Nga garzat dhe antiseptiku te termometri, produktet për rehidratim dhe artikujt bazë të ndihmës së parë, përmbajtja e çantës së pushimeve duhet të përshtatet edhe me destinacionin.

Për udhëtimet në zona malore mund të nevojiten produkte të ndryshme nga ato që do të merrnim në bregdet.

Një kujdes i veçantë kërkohet edhe për personat me sëmundje kronike. Ata duhet të sigurohen që të kenë me vete sasinë e nevojshme të barnave të përditshme, ndërsa personat që përdorin insulinë duhet të kujdesen për ruajtjen e saj në temperaturën e përshtatshme.

Helmimet ushqimore, si të veprojmë?

Temperaturat e larta dhe ruajtja jo e duhur e ushqimeve mund të rrisin rrezikun për probleme gastrointestinale gjatë verës.

Në rast të të vjellave dhe diarresë, një nga prioritetet është rikthimi i lëngjeve dhe elektroliteve të humbura. Ushqimi duhet të jetë i lehtë dhe në sasi të vogla.

Por kur të vjellat dhe diarreja zgjasin, veçanërisht përtej 24–48 orëve, ose kur personi shfaq lodhje të madhe, përgjumje, temperaturë apo shenja dehidratimi, kërkohet vlerësim mjekësor.

“Kujdes me lëkurën e bebeve gjatë verës.”

Nxehtësia, djersitja dhe lagështira në zonat e sqetullave apo të pelenës mund të shkaktojnë skuqje dhe irritim të lëkurës së bebeve.

Zani këshillon higjienë të mirë, larje me ujë të vakët dhe veshje të lehta, mundësisht pambuku. Produktet e përdorura në lëkurën e bebeve duhet të jenë të përshtatshme për moshën dhe të zgjidhen me kujdes.

Djegiet nga dielli: “Mos vendosni gjithçka që keni në shtëpi”

Një nga gabimet më të zakonshme gjatë verës është trajtimi i djegieve nga dielli me produkte të ndryshme të përdorura në mënyrë empirike.

Sipas farmacistes, hapi i parë është largimi nga ekspozimi në diell. Në rastet e djegieve më të rënda, veçanërisht kur shfaqen flluska të mëdha apo shenja infeksioni, duhet kërkuar ndihma e mjekut.

Parandalimi mbetet më i rëndësishmi. Kremi mbrojtës duhet të riaplikohet rregullisht dhe pas daljes nga uji, ndërsa mbrojtja nga dielli nuk duhet të ndërpritet vetëm sepse lëkura është nxirë.

“Infeksionet e veshit te fëmijët që zhyten.”

Pishinat dhe zhytjet e shpeshta mund të shoqërohen me probleme të veshit, veçanërisht te fëmijët.

Sipas Zanit, lagështira e tepërt dhe manipulimi i veshit me sende të forta mund ta përkeqësojnë situatën.

Ajo këshillon kujdes të veçantë gjatë sezonit të plazhit dhe shmangien e ndërhyrjeve të pakontrolluara në vesh.

“Barnat në verë: gabimi që nuk duhet bërë.”

Një pjesë e rëndësishme e këshillave lidhet me mënyrën e ruajtjes së barnave gjatë udhëtimit.

Jo të gjitha medikamentet duhet të vendosen në frigorifer. Ndërkohë, barnat që kërkojnë temperaturë të kontrolluar, si insulina dhe produkte të tjera termolabile, duhet të transportohen në kushte të përshtatshme.

Një tjetër gabim është lënia e barnave në makinë, sidomos në ditët me temperatura të larta.

“Mos i lini nëpër bagazhe”, është një nga këshillat e farmacistes për udhëtarët.

Mesazhi i Laurela Zanit është që çanta e pushimeve nuk duhet të shndërrohet në një farmaci të lëvizshme. Duhet të marrim produktet bazë dhe barnat që përdorim rregullisht, por mbi të gjitha duhet të dimë kur një shqetësim mund të trajtohet me këshillën e farmacistit dhe kur kërkon ndërhyrjen e mjekut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos