Ndonëse pushuesit pranë bregdetit janë rralluar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për punëtorët e huaj që kërkojnë të rinovojnë lejet e qëndrimit apo të nxjerrin lejet për herë të parë për shkak të kërkesës që ka tregu i punës në Vlorë për punonjës.
Mjafton të shohësh zyrën e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit dhe e kupton që Vlora vijon të ketë ende etje për punëtorë të huaj. Ndërsa këta të fundit po rinovojnë lejet, edhe pse sezoni thuajse ka përfunduar.
“Unë vij nga Filipinet. Jam këtu për të punuar në një hotel. Më pëlqen puna këtu pasi njerëzit janë shumë të mirë. Puna është shumë mirë për mua. 8 orë në ditë dhe punëdhënësit e mi janë të mirë. Pagesa është shumë mirë për ne. Këtu është më e lartë se në disa vende të tjera”, thotë një vajzë.
“Unë punoj në hotel. Nuk kam një punë të saktë, punoj gjithandej në recepsion, lavanderi, sistemim etj. Kjo punë më pëlqen, pasi dua të provoj veten time në një tjetër eksperiencë. Do të qëndroj këtu derisa të përfundoj kontratën time të punës”, thotë një djalë.
Ndërsa një tjetër shprehet: “Jam nga India, prej qytetit Rastan. Kam dy vjet këtu në Shqipëri. Punoj në lavazho. Jam këtu sot për të rinovuar lejen time të qëndrimit. Puna këtu më pëlqen shumë pasi dhe pagesa është e mirë. Do të qëndroj më gjatë këtu. Një ditë sigurisht do të kthehem në Indi”.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, në këtë periudhë të vitit 2025 ishin dhënë në total 1685 kërkesa për leje qendrimi të punëtorëve të huaj, ndërsa në 2026 janë regjistruar 5065 kërkesa të reja, duke u dyfishuar vendet e punësimit. (A2 Televizion)