Publikohen rezultatet e PISA 2025. Shqipëria shënon përmirësime krahasuar me tre vjet më parë. Nga Bratislava, ku u publikuan rezultatet e testimit të 15-vjeçarëve nga 91 vende të botës, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, foli për rritjen e rezultateve, veçanërisht në matematikë dhe shkenca kompjuterike.
“Kur Shqipëria, në të tre testet që bëhen nga PISA, lexim, shkencë dhe matematikë, ka rritje të konsiderueshme. Edhe që të jem fare e saktë, dua t’ju njoftoj që në testin e matematikës Shqipëria është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë”, tha Kumbaro, përcjell A2 CNN.
“Por çfarë është testi i PISA-s? Në fakt, testi i PISA-s është një test që bëhet me nxënësit 15-vjeçarë në rreth 90 vende të botës, ku nxënësit testohen për një periudhë të konsiderueshme. Nga Shqipëria janë testuar rreth 6000 nxënës në vitin 2025”.
Surprizë ishin shkencat kompjuterike, ku 15-vjeçarët shqiptarë kanë thyer pritshmëritë për përdorimin e teknologjisë, duke marrë pikë të larta pas matematikës. Ministrja Kumbaro deklaroi se Shqipëria doli e para në rajon, duke lënë pas Serbinë, Greqinë, Bullgarinë dhe vendet e tjera.
“Se krahasohemi me vetveten, por krahasohemi edhe me rajonin, Shqipëria është në rezultatet më të larta. Konkretisht, në matematikë, Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Në shkencë, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë listën e rezultateve, po kështu në rajonin tonë”.
Sipas rezultateve të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Shqipëria shënoi rritje krahasuar me vitin 2022, veçanërisht në matematikë dhe shkenca kompjuterike. Më kritike mbetet fusha e leximit, ku, sipas ministres Kumbaro, i gjithë rezultati i PISA-s do t’i nënshtrohet një analize të detajuar. (A2 Televizion)