Dalin rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025. Afro 6 mijë nxënës 15-vjeçarë janë testuar në tri fusha të rëndësishme: matematikë, shkencë dhe lexim. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka folur për rritje të rezultateve krahasuar me vitin 2022 dhe veçanërisht në matematikë. Fusha e leximit mbetet më kritike për nxënësit shqiptarë.
“Kam shumë kënaqësi të ndaj me ju një lajm të mirë sot nga Bratislava, ku Shqipëria, në të tri testet që bëhen nga PISA, lexim, shkencë dhe matematikë, ka rritje të konsiderueshme. Edhe, që të jem fare e saktë, dua t'ju njoftoj që në testin e matematikës Shqipëria është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë”, tha Kumbaro, përcjell A2 CNN.
“Por çfarë është testi i PISA-s? Në fakt, testi i PISA-s është një test që bëhet me nxënësit 15-vjeçarë në rreth 90 vende të botës, ku nxënësit testohen për një periudhë të konsiderueshme dhe nga Shqipëria janë testuar rreth 6 mijë nxënës në vitin 2025, që është një korpus shumë i rëndësishëm për të kuptuar se ku janë fëmijët tanë në vitin 2025 me këto tri aftësi të rëndësishme.
Sigurisht, kjo kërkon një analizë shumë të thelluar. Më vjen mirë të them që jo vetëm Shqipëria ka rritje krahasuar me vitin 2022, por edhe në rajon, sepse krahasohemi me vetveten, por krahasohemi edhe me rajonin. Shqipëria është në rezultatet më të larta.
Konkretisht, në matematikë, Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Në shkencë, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë listën e rezultateve, po kështu në rajonin tonë.
Tani, të gjitha këto janë shumë të rëndësishme dhe na tregojnë që, në fakt, Shqipëria ka bërë progres. Ka bërë progres në një fushë që është arsimi dhe që nuk është thjesht krenari historike, por është sidomos ambicie dhe qëllim për të ecur përpara, se në fund të fundit nuk është çështja sa pikë përpara jemi apo se sa ia kemi kaluar një vendi. E rëndësishme është të kuptojmë se si PISA na ndihmon që të rrisim performancën e mësuesve dhe të nxënësve tanë, se si secili nxënës të ketë më shumë aftësi, më shumë zotësi, që ato që mëson në shkollë t'i përdorë në jetë”, shtoi ajo. (A2 Televizion)
