"Çojnë mjekë në drejtori pyjesh”, Lush Susaj: Politika punëson edhe pastrueset e shkollave

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2025, 21:51 | Sociale

Pedagogu Lush Susaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “shkollat në këto 12 vjet janë politizuar ekstremisht”.

“Fëmijët në shkollë nuk bëjnë edukim qytetar, marrin diplomën pasi i ke vjedhur 5 vite jetë dhe marrin një letër në fund. Janë totalisht të paintegruar në tregun e punës dhe kur del në jetë nuk i pyet njeri çfarë shkolle ke mbaruar, por çfarë di të bësh. Nuk del profesionist nga shkolla. Rekrutimet nepotike të këtyre 25 viteve të fundit sidomos, autokracia që ka kapur shkollat, politizimi deri te pastrueset, fakti që i sulen çdo njeriu që guxon të flasë, bën që të shkohet në këtë gradë ku jemi sot”, tha Susaj.

“Shkenca dhe teknologjia është vetëm në letra, është fiktive. Të gjitha drejtoritë e bujqësisë dhe ato rajonale nuk kanë specialistë të mirëfilltë sepse dërgojnë oficerin e ushtrisë në drejtori bujqësie; çojnë një mjek drejtor pyjesh. Nuk është zgjidhje kjo, gjithkush duhet të jetë në vendin e vet. Mua më dhimbset rinia e Shqipërisë. Nuk ka vend tjetër në Europë ku rinia studentore të trajtohet më poshtërsisht sesa këtu te ne. Prandaj ikin, njerëzve ua ke irrituar Shqipërinë. Ka një problem, që njerëzit heshtin. Fermerët grekë i kanë të gjitha kushtet, fermerët shqiptarë jo. Dhe shqiptarët heshtin...”, shtoi pedagogu Lush Susaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos