Të shëtisësh në zonën e Lungomares në Vlorë duhet të llogarisësh edhe gjendjen e qenve endacakë, të cilët i gjen gjithandej në trotuare, por edhe në zonën e plazhit. Instinkti i një kafshe në çdo moment mund të të sulmojë për të treguar se ajo zonë është territori i saj, shkruan A2 CNN. Dhe kur ky instinkt aktivizohet në një pedonale ndër më të frekuentuarat në qytetin turistik të Vlorës, atëherë jeta e çdo personi vihet në rrezik, siç ishte edhe rasti i këtij të moshuari para disa ditësh.
Fatmirësisht, ndërhyrja e personave të tjerë e ndihmoi të moshuarin t’i shmangej tufës së qenve, por kjo shmangie nuk kaloi pa pasoja. A2 kontaktoi të moshuarin, i cili shihet në video teksa lufton me qentë, dhe ai na tregon se nuk kishte shpëtuar pa u kafshuar.
“Ata e mblidhen një grumbull një grumbull qysh atje edhe më janë sulur nga dy herë po i kam ndjekur edhe kanë ikur. Shkova në spital me dy kafshime”, thotë 84-vjeçari Ajet Canaliaj.
Ndërsa njerëzit përpiqen të shmangin si të munden tufat e qenve përgjatë Lungomares së Vlorës, Bashkia pritet të alokojë një fond në buxhetin e vitit 2026 për sterilizimin e qenve të rrugës, çka nënkupton se ata do të lihen sërish në rrugë, pasi për strehimin e tyre nuk ka fonde. (A2 Televizion)