A mund të jetojmë pa u helmuar? Përgjigjja befasuese e mjekes

Nga Armend Pire
7 Shkurt 2026, 19:29 | Sociale

A mund të jetojmë pa u helmuar, edhe pse tregohemi të kujdesshëm? Kjo është një pikëpyetje që na shoqëron vazhdimisht, sa herë që jemi përballë një ushqimi, një pijeje, një mjedisi të panjohur apo një lënde të dyshimtë. Edhe kur kujdesi nga ana e qytetarëve është maksimal, rreziku i helmimit mund të vijë nga agjentë të jashtëm, pa qenë e nevojshme të konsumojmë diçka.

E ftuar në studion e emisionit “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, mjekja toksikologe Prof. Asoc. Esmeralda Thoma shpjegoi se ekspozimi përmes ajrit, ujit apo ndotja e mjedisit nga metalet e rënda mund të shkaktojnë helmime, të cilat shpesh nuk shfaqin shenja të menjëhershme, duke vonuar kështu edhe trajtimin.

“Pa u helmuar, jo, nuk mund të jetojmë. Në një mënyrë ose në një tjetër, do të marrim lëndë të panevojshme për organizmin, lëndë helmuese dhe toksike. Kur këto kthehen në situata problematike dhe japin simptoma klinike, gjithçka varet nga lloji i helmeve ndaj të cilave ekspozohemi çdo ditë: qoftë në ajrin që thithim, ujin që pimë, apo ushqimet që konsumojmë, të cilat mund të rriten në toka të kontaminuara, për shembull me metale të rënda. Problemi kryesor qëndron te helmimet kronike, pasi shumica e simptomave nuk janë specifike. Kjo e vonon diagnozën dhe rrjedhimisht, edhe trajtimin e pacientit,” – u shpreh mjekja toksikologe.

A mund të jetojmë pa u helmuar? Përgjigjja befasuese e mjekes

Lodrat plastike konsiderohen ndër objektet më të pasigurta për fëmijët. Prania e plastikës, e shoqëruar me kimikate përforcuese për ngjyrën apo ngurtësinë e tyre, shihet nga mjekët si një ndër shkaktarët kryesorë të helmimeve te fëmijët. Te fëmijët e vegjël, ekspozimi përmes futjes së lodrave në gojë apo edhe thjesht përmes kontaktit me duart mund të ndikojë në zhvillimin e toksicitetit.

“Ka disa lloje lodrash që, për shkak të përbërjes së tyre, janë të rrezikshme për fëmijët, pikërisht për shkak të toksicitetit. Nga të dhënat shkencore dhe studimet rezulton se edhe kompani të mëdha, pavarësisht se kanë produkte të certifikuara, mbajnë rezerva lidhur me materialet e përdorura. Lodrat nuk duhet të jenë të përbëra nga PVC, pasi ky material është shumë toksik. Sa më pak ngjyrues të kenë lodrat, aq më mirë, pasi edhe ngjyruesit janë lëndë toksike. Po ashtu, prindërit duhet të shmangin ushqyerjen e fëmijëve me enë plastike dhe ngrohjen e ushqimit në to, sepse plastika, kur ngrohet, lëshon lëndë toksike. Zgjidhja më e mirë mbetet përdorimi i enëve prej qelqi ose porcelani,” – shtoi mjekja Thoma.

Trend, bullizim, shije, adoleshencë apo thjesht eksperiment? Përdorimi masiv i cigareve elektronike nga fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 18 vjeç është kthyer në një ndër shqetësimet kryesore. Mjekja toksikologe Prof. Asoc. Esmeralda Thoma theksoi se këto produkte nuk janë për adoleshentët dhe se përdorimi i tyre ka sjellë raste me sëmundje serioze të mushkërive tek të rinjtë.

“Do të sjell një të dhënë pozitive lidhur me përdorimin e duhanit te adoleshentët. Sipas studimeve të fundit, në shumë vende të botës, duhanpirja në këto mosha është reduktuar ndjeshëm krahasuar me 10 vite më parë, si pasojë e fushatave ndërgjegjësuese. Edhe në vendin tonë vihet re ky trend rënës. Por ajo që ka zëvendësuar duhanin tradicional janë vape-et dhe cigaret elektronike, të cilat nuk janë më pak të dëmshme. Ka raste të shumta ku adoleshentë paraqesin probleme pulmonare kronike si pasojë e përdorimit të tyre. Për sa kohë organizmi nuk është zhvilluar plotësisht, çdo substancë e huaj shndërrohet në një lëndë toksike, veçanërisht në këto mosha ku sistemet organore janë ende të papjekura,” – shpjegoi toksikologia.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos