Rriten kërkesat për “in-vitro”, 500 çifte kërkojnë ndihmën e mjekëve, metoda aplikohet dhe në shtet

Nga Ornela Joti
6 Gusht 2026, 17:51 | Sociale

Rritja e infertilitetit po i përball çiftet e reja me vështirësi për të sjellë në jetë fëmijë. Por vitet e fundit rezulton se shumë prej tyre kanë hequr komplekset dhe kërkojnë pa hezitim ndihmën e mjekut specialist. Në jo pak raste, ata i drejtohen edhe fertilizimit in vitro, ose siç njihet ndryshe, shërbimit të riprodhimit të asistuar.

Kjo metodë ka nisur të aplikohet edhe në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku në dy vitet e fundit janë regjistruar mbi 500 kërkesa nga çiftet e reja.

Redi Hoxhallari, zv/drejtori teknik i maternitetit, tregon se çiftet që kanë arritur të plotësojnë kushtet për fertilizimin “in-vitro” kanë marrë rezultate shumë të mira. Deri tani kanë ardhur në jetë 22 bebe përmes kësaj metode.

Mjeku obstetër-gjinekolog tregon edhe disa nga kriteret që duhet të plotësojnë pacientët për të përfituar këtë shërbim. Mosha është një kriter i rëndësishëm që përcakton nëse mund të vijohet ose jo me metodën “in-vitro”.

Ky është viti i dytë që realizohet fertilizimi “in-vitro” në maternitetin "Koço Gliozheni". Mbi 50 milionë lekë të rinj janë akorduar për këtë shërbim, i cili më herët kryhej vetëm në strukturat private. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos