Vrasjet dhe plagosjet, Çepani: Nuk po i kushtojmë rëndësi shëndetit mendor

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2026, 21:51 | Sociale

Juristja Edlira Çepani, e ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, komentoi ngjarjet e rënda të ditëve të fundit në vend, ku ka pasur raste të shumta vrasjesh, vetëvrasjesh dhe plagosjesh.

“E para është koncepti i pandëshkueshmërisë, që ka lidhje me me sigurinë. Është një problematikë e cila fatkeqësisht vazhdon të rritet që nga nivelet më të ulëta, deri te nivelet më të larta. Herë pas here, ne e themi shumë shpesh që tek nivelet e larta fillon edhe modelon edhe sjelljen e niveleve më të ulta. Nëqoftëse ne shohim pandëshkueshmëri gjithandej, te politika për shembull, patjetër që kjo reflektohet në një farë mënyre edhe në shoqëri”, tha fillimisht juristja.

Sipas saj, në këtë aspekt ka lidhje edhe shëndeti mendor.

“Nga ana tjetër, gjërat që po ndodhin në shoqëri kanë lidhje edhe me shëndetin mendor. Ende sot në Shqipëri, megjithëse ne e kemi ngritur shumë më herët alarmin, nuk e diskutojmë si një çështje e cila duhet të jetë në fokus të institucioneve, të shoqërisë, të medias, të gjithëve me radhë, sepse shëndeti mendor ndikon në të dyja rastet. Edhe tek pjesa e pandëshkueshmërisë, faktit që njerëzit nuk mendojnë më, nuk kanë më frikë, dhe nga ana tjetër edhe tek pjesa e faktit që ne po dëgjojmë vetëvrasje, por nuk po kuptojmë edhe se sa të tjera ka që nuk i dëgjojmë në media, edhe se sa problematika të tjera ka të dhunës, në shkolla, të fëmijëve të cilët nuk janë të shëndetshëm nga ana mendore. Shëndeti mendor në fakt është një problematikë për të gjithë ne sepse Shqipëria është realisht një vend në të cilin stresi është në maksimum dhe kjo ndikon edhe në pjesën e shëndetit mendor shumë më tepër sesa ndikon në shtete të tjera. Dhe e fundit, një nga problematikat e shëndetit mendor lidhet edhe me problemet shëndetësore që kanë ardhur nga Covidi”, shtoi Çepani.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos