Midis pamjes dhe mirëqenies, "trupi i verës" mbush palestrat në prag sezoni, por sa zgjat motivimi?

Nga Elsa Boshku
19 Korrik 2025, 11:39 | Sociale

Me afrimin e sezonit veror dhe plazhit, bashkë me temperaturat rritet edhe ankthi për trupin ideal.

“Ka një tendencë për të krijuar këto linjat perfekte të trupit sepse shohin imazhet perfekte në rrjetet sociale. Gjithashtu shihen modelet, filtrat, dhe mendohet që jeta reale është ashtu, ose trupi i një individi duhet të jetë në ketë mënyrë”, shprehet Destemona Çelo, psikologe.

Në palestra, fluksi i klientëve rritet ndjeshëm dhe instruktorët janë mësuar tanimë të përballen me kërkesa të përsëritura thuajse çdo prag sezoni veror

“Të gjithë klientët që vijnë nëpër palestra, tre muaj para verës, kanë ato kërkesat e tyre që... dua të dobësohem pak, të heq pak anësoret. Gocat që … kam një dasmë, dua të dobësohem, të më rrijë mirë fustani… të më rrijë mirë këmisha... këto janë kërkesat më të zakonshme”, thotë Eliseo Braha, instruktor palestre.

Por trupi nuk funksionon me afate verore dhe as rezultatet nuk vijnë përmes ngutjes? “Nuk do thosha se është I rrezikshëm intensiteti i lartë, por një fizik I mirë nuk do dy tre muaj për tu arritur. Kemi pasur raste kur kanë pasur rezultate të kënaqshme, ose kemi arritur deri diku aty ku donin, të humbnin disa kile për dy tre muaj por kjo varet nga stili i jetesës, gjenetika etj”, shprehet instruktori.

Por çfarë ndodh kur rezultatet, nuk janë brenda pritshmërive? “Është presion dhe Kur ka presion, asnjëherë nuk është pozitive për shëndetin mendor, për vetë faktin se do jete gjithë kohës një stimul i jashtëm ai që do ta ndikojë për të bërë këtë trupin perfekt, por edhe për t’u ushtruar fizikisht. Pra nuk do shihet si një mënyrë për tu angazhuar, si një mënyrë për të rritur mirëqenien tonë si fizike dhe të shëndetin mendor , pra për ta përdorur aktivitetin fizik në mënyrë të shëndetshme, por për të arritur këto pritshmëri dhe nëse kjo nuk arrihet do të sjellë te njerëzit ndjesi faji, shumë herë turpi dhe shumë zhgënjim”, thotë psikologia.

Eliseo, i cili që prej 4 vitesh është instruktor palestre, ka pasur mundësinë të punojë shpesh edhe me të huaj që jetojnë në Shqipëri dhe na tregon se me ta, puna shpesh është me e lehtë. 

“Më duket më e lehtë të punoj me ta, janë më të motivuar, më të qetë, por edhe këtu në Shqipëri ka filluar të përhapet shumë fitnesi, njerëzit të shkojnë në palestër dhe të investojnë për veten e tyre”, tregon instruktori.

Por si ndikon aktiviteti fizik në shëndetin mendor?

“Ka shumë benefite. Ne terapistët e sugjerojmë shumë te klientët tanë në mënyrë që ata të kenë një qëllim dhe një motiv për veten e tyre. Të jetë një nga gjërat që ata të mbushin ditën e tyre. Por jo vetëm kaq. Është një mundësi e mirë për të shkarkuar ngarkesat emocionale, lodhjen, të ul nivelin e stresit. Shumë herë ndikon edhe për gjendjen degresive, për gjendjen ankthioze”, shprehet Çelo.

Palestra mund të sjellë ndryshime në trup Brenda pak muajsh, por përfitimet më të mëdha ndodhin kur stërvitja bëhet mënyrë jetese. Psikologët dhe instruktorët bien dakord se qëndrueshmëria është çelësi për rezultat por edhe për shëndet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos