Shkolla zyrtarisht mbaroi. Të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nisën pushimet.
Por, këtë vit 10 institucione arsimore publike në Tiranë e Durrës, për herë të parë do të ofrojnë shkollë verore, shkruan A2.
Projekti pilot do të nisë të hënën e 16 qershorit dhe do të zgjasë dy javë. 100 nxënës të arsimit fillor nga çdo shkollë e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në aktivitetet verore të shkollës së tyre.
Drejtues të projektit pilot tregojnë se çfarë do të bëjnë pa libra nxënësit në shkollat e tyre. Ndërsa për herë të parë u kërkohet fëmijëve që edhe ushqimin mos ta marrin me vete nga shtëpia, pasi do të sigurohet nga projekti i shkollave verore.
Projekti pilot, i pari i këtij lloji në arsimin publik, ka nisur nga 8 shkolla 9-vjeçare të Tiranës, 1 në Kamëz dhe një shkollë në Durrës. Mësuesit që do të angazhohen në këtë nismë do të kenë shtesë mbi pagën e tyre.
Ndërkohë, shumë prindër presin që ky shërbim të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit për t’u ofruar fëmijëve argëtim në ditët e verës dhe sa më pak kohë qëndrimi para pajisjeve elektronike. (A2 Televizion)