Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, prezantoi sot modelin e ri të Shkollave Verore, i cili do të pilotohet duke filluar nga data 16 qershor në 10 shkolla në Tiranë, Kamëz dhe Durrës. Në takim morën pjesë përfaqësues të shkollave përfituese, prindër, mësues dhe drejtues të këshillave të prindërve, duke nënvizuar rolin gjithëpërfshirës të programit.
Nga shkolla “Lasgush Poradeci”, një ndër 10 shkollat ku do të pilotohet ky program, Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij modeli të ri për zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve dhe bashkëpunimin me komunitetin, shkruan A2 CNN.
“Nga data 16 qershor, për herë të parë në 10 shkolla, 8 në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Durrës do lançojmë Shkollën Verore. Shkolla Verore, e cila do të nisë menjëherë pas përfundimit të vitit shkollor, do të zgjasë dy javë. Është një program i studiuar me ekspertizën më të mirë, duke përfshirë këtu dhe ekspertizën e UNICEF dhe në bashkëpunim me World Vision. Në këtë program të mirëstudiuar, për 2 javë, ne do të kemi mundësi të zhvillojmë shkollën verore si një shkollë të hapur për komunitetin. Fokusi do të jetë te fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, por nuk përjashtohen edhe nxënësit të cilët duan ta frekuentojnë shkollën verore. Këtë vit pilotojmë për herë të parë shkollën verore dhe për herë të parë 1000 nxënës do të përfitojnë nga shërbimet dhe programet e larmishme që do të ofrohen në këto shkolla. Shkollat ku do të pilotohet ky program janë: “Emin Duraku”, “Kosova”, “Lasgush Poradeci”, “Avni Rustemi”, “Andrea Stefani”, “Kiço Blushi”, “Qazim Turdiu”, “Klodian Tanushi” në Tiranë, “Halit Çoka” në Kamëz dhe “Eftali Koçi” në Durrës.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se synimi është që ky program të shtrihet edhe në shkolla të tjera të vendit.
“Shkolla Verore është një program që do të pilotohet për herë të parë në 10 shkolla, me synimin për ta shtrirë vitin tjetër edhe më gjerë, në të gjitha bashkitë, për të mobilizuar burimet njerëzore, mësuesit, koordinatorët, por edhe përtej stafit të shkollës, edhe stafe të tjera profesionale, që mundësojnë bashkëpunimin dhe injektimin te grupmosha të ndryshme të nxënësve pikërisht këto aftësi kaq të nevojshme. Një rol të rëndësishëm në promovimin e këtyre programeve kanë edhe prindërit, bashkëpunimi me ta. Ne kemi fuqizuar bashkëpunimin e trinomit më të rëndësishëm brenda shkollës: mësues-prindër-nxënës. E kemi fuqizuar në disa aspekte. Së pari, përmes organizimit të këshillave të prindërve në nivel kombëtar, por edhe në nivel lokal, deri në nivel shkolle dhe klase. Është e rëndësishme që ky bashkëpunim jo vetëm të fuqizohet, por edhe të mundet që të përcjellë brenda institucioneve shkollore dhe jashtë tyre në komunitet ide të reja, të cilat të zbatohen bashkërisht në shkollë dhe në komunitet.”, tha Manastiriu.
Ministrja Manastriliu u ndal dhe te shkollat si qendra komunitare, investimet dhe rolet e reja në shkollë:
“Shkollat tona duhet të jenë struktura që ofrojnë shërbime të përditshme. Me përmirësimet që i kanë ndodhur sistemit arsimor dhe që po i ndodhin dita-ditës me këto shkolla moderne, me investimet në laboratorë digjitalë, laboratorë shkencorë, palestra, terrene sportive, me përfshirjen e programeve jashtëkurrikulare, si “Art, Zeje dhe Sport”, apo “Toka ime në shkollë”, me ekipet sportive në shkolla, si edhe programet e reja, por edhe me rolet e reja që kemi përfshirë në shkollë, sikurse janë mësuesi koordinator për orientimin në karrierë, mësuesi koordinator për zhvillimin e cilësisë, dhe me të gjithë bashkëpunimin që ne jemi duke e krijuar dhe fuqizuar çdo ditë e më shumë me prindërit, nxënësit dhe vetë mësuesit, ne tashmë bëhemi gati edhe për programe të reja që do t’i përfshijmë dhe për të cilat jemi duke punuar, sikurse është programi pas-shkollor dhe programi i ushqimit në shkolla, i cili është ndër programet më të kërkuara në shkollë dhe ne jemi zotuar ta fillojmë këtë program, duke u fokusuar fillimisht në bashkitë qendër qarku dhe më tej edhe në të gjitha bashkitë e tjera.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. (A2 Televizion)