Lia e majmunit në Shqipëri, si u zbulua 31-vjeçari i prekur, shenjat dhe trajtimi i tij

Nga Ornela Joti
12 Qershor 2025, 16:14 | Sociale

Një 31-vjeçar nga Shqipëria e Mesme është identifikuar si rasti i parë me Linë e Majmunit në vendin tonë. Pas shenjave të shfaqura në lëkurë dhe dyshimeve të ngritura nga specialistët, sëmundja është konfirmuar edhe përmes analizave nga Instituti i Shëndetit Publik, shkruan A2 CNN. Drejtues të këtij instituti thonë se bëhet fjalë për një rast të importuar nga Italia, ku 31-vjeçari kishte një histori dyjavore udhëtimi.

Eugena Tomini, drejtoresha e ISHP-së, tregon për trajtimin e pacientit me Linë e Majmunit, izolimin e tij në banesë dhe hetimin e të afërmve të tij. “Nuk ka pasur nevojë për ndjekje spitalore por është izoluar në shtëpi. Tashmë rasti është rikuperuar”, thotë Tomini për A2 CNN. “Me rrethin e ngushtë familjar nuk kemi pasur asnjë rast të dyshuar në drejtim të kontaktit të rastit në fjalë”.

Por si mund të infektohemi me Linë e Majmunit? “Përveç kontaktit lëkurë me lëkurë, është rruga seksuale e transmetimit, rruga e kontaminimit të sipërfaqeve apo objekteve, por duhet të theksojmë që duhet të kemi kontakt të ngushtë, të përsëritur”, thotë Tomini. “Nuk duhet të shtojmë panikun, por duhet të bëjmë kujdes”.

Në vitin 2022, OBSH shpalli emergjencën globale për shkak të rritjes së rasteve jo vetëm në vendet e Afrikës, por edhe në Azi dhe kontinentin Europian. Kjo sëmundje fillimisht u transmetua nga kafshët te njerëzit. Shenjat e saj nisin me ethe, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh. Më pas, sëmundja shfaqet me shenja të kuqe në lëkurë, të cilat mund të jenë në të gjithë trupin ose vetëm në disa pjesë të tij.

Tek personat me imunitet të dobët dhe higjienë të ulët, Lia e Majmunit ka shkaktuar edhe viktima. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos