Shqipëria përmbylli raundin e dytë të negociatave me Letoninë për marrëveshjen në fushën e sigurimeve shoqërore.
Raundi i dytë i bisedimeve u zhvillua në kryeqytetin e Letonisë, Riga, shkruan A2.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, ndërsa ai letonez nga drejtoresha e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Politikave të BE-së në Ministrinë e Mirëqenies së Letonisë, Ineta Tāre.
Palët arritën dakordësinë për marrëveshjen kuadër dhe atë administrative, të cilat garantojnë mbrojtje të plotë sociale për qytetarët që punojnë dhe kontribuojnë në të dy vendet, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Marrëveshja do t’i nënshtrohet procedurave të miratimit nga të dyja qeveritë dhe parlamentet përkatëse.
Ajo përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Kjo iniciativë çon në 21 numrin e marrëveshjeve dypalëshe të negociuara nga Shqipëria në fushën e mbrojtjes shoqërore, prej të cilave 13 janë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)